Maloku: Situata në Kuvendin e Kosovës, një “sadizëm politik” që pengon progresin
Fadil Maloku, profesori universitar ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e duhura për postin e kryeparlamentares as për herën e tretë. Ai ka theksuar se kjo ngjarje reflekton një formë të “sadizmit politik” që është duke u shpërfaqur në Kuvend. […]
Fadil Maloku, profesori universitar ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e duhura për postin e kryeparlamentares as për herën e tretë.
Ai ka theksuar se kjo ngjarje reflekton një formë të “sadizmit politik” që është duke u shpërfaqur në Kuvend.
Maloku ka shtuar se partitë politike ndjehen të “kënaqura” nga ndodhitë dhe qëndrimet që shprehin, duke krijuar një situatë ku liderët politikë, veçanërisht opozita, përpiqen ta pengojnë grupin tjetër për të vazhduar punën tutje.
“Ka një kënaqësi të çuditshme dhe një formë sadizmi politik kur e pamundësojnë grupin tjetër, këtë herë opozitën, për ta vijuar punën dhe për të dalë nga kjo bllokadë,” ka thënë Maloku.
Ai e ka cilësuar këtë situatë si tragjiko-komike, për shkak të mungesës së vullnetit politik për të kaluar përpara.
Profesori ka theksuar gjithashtu se problemi kryesor qëndron në mënyrën se si të drejtat politike po keqpërdoren për qëllime të ngushta, duke theksuar se kjo situatë po krijon një vakuum politik.
“Ky është sadizmi që mund të shkaktojë opozita ndaj ish-qeverisë dhe ish-qeveria ndaj opozitës,” ka shtuar ai.
Maloku ka theksuar se kjo situatë po e çon vendin drejt një spiraleje të pasigurisë, duke shtuar se Kosova po shkon drejt mundësisë për zgjedhje të reja.
“Në këtë situatë, duket se vendi është duke rrëshqitur kah zgjedhjet,” ka përfunduar Maloku.















