Kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj, ka zhvilluar një takim me përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile në Istog, të cilat, sipas tij, po japin kontribut të rëndësishëm në mbështetjen dhe fuqizimin e grave në të gjitha sferat e jetës.
Përmes një postimi në Facebook, Manaj bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar sfidat me të cilat përballen gratë dhe organizatat e tyre, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet qendrore dhe mekanizmat që financojnë e mbështesin projektet e tyre.
Ai theksoi se pjesë e takimit ishte edhe Presidentja Vjosa Osmani, e cila iu drejtua pjesëmarrëseve përmes videokonference, duke shprehur mbështetjen për punën dhe misionin e organizatave që angazhohen për avancimin e pozitës së grave në shoqëri.
“Diskutuam hapur për sfidat dhe për bashkëpunimin që do ta ndërtojmë edhe me nivelin qendror dhe me mekanizmat që mbështesin projektet e tyre”, ka shkruar Manaj, duke falënderuar pjesëmarrëset për mikpritjen dhe angazhimin e tyre.