Pas shumë hezitimeve, Qeveria e Kosovës më në fund ka bërë publik emrat e katër serbëve që janë përgjegjës për hartimin e statutit të Asociacionit.

Sipas vendimit të vitit 2020, i nënshkruar nga ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri serb, Goran Rakiq, Ekipi Menaxhues do të udhëhiqet nga Danijela Vujiçiq, e cila është deputete në Parlamentin e Serbisë, nga partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Nga përbërja fillestare ndër vite vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq, kurse anëtare e re pos Vujiçiqit është edhe Jelena Beloviq.

Tri vendimet e marra për këtë ekip nga tri qeveritë e kaluara i ka publikuar në Facebook, ministri aktual i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai thotë se Ekipi Menaxhues nuk i është përgjigjur ftesës së tij për t’u takuar rreth zbatimit të obligimeve nga marrëveshja e Ohrit.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, ka deklaruar Krasniqi.

Vendimi i parë për Ekipin Menaxhues ishte marrë në vitin 2013 gjatë Qeverisë Thaçi, i dyti më 2016 gjatë Qeverisë Mustafa, kurse vendimi i tretë më 2020 gjatë Qeverisë Hoti.

Pas gjithë pikëpyetjeve që janë ngritur për statusin ekipit, analisti politik, Artan Muhaxhiri vlerëson se ai nuk do të ketë asnjë kompetencë të rëndësishme dhe më shumë do të jetë formal.

“Do të jenë vetëm aktorë të thjeshtë sepse nuk ka asnjë logjikë që një projekt kaq i rëndësishëm tu lihet disa anonimusëve që nuk kanë asnjë bazë strukturore të pushtetit. Pra, janë emra që kanë qëlluar rastësisht aty dhe drafti i Asociacionit do të shkruhet në Washington dhe Bruksel, pastaj një përqindje e vogël do t’u lejohet Kosovës dhe Serbisë që të ndërhyjnë. Por në përgjithësi do të jetë një projekt krejtësisht i dirigjuar sepse pesha e tij është shumë shumë e madhe”, ka thënë Muhaxhiri.

Analistja tjetër, Besa Luzha pret që ky zhvillim mos të ketë ndikim negativ në takimin e nivelit të lartë më 2 maj në Bruksel.

Mirëpo, ajo thotë në situatën e re pas zgjedhjeve në veri ekzistojnë paqartësi se cilët përfaqësues janë legjitim nga komunat veriore.

“Nëse për shembull ky grup megjithatë i raporton ose tregon që nuk ka punuar, ka prit deri tash, është në dorën e ministrisë që të vendosë a të vazhdojë me këtë grup, a të freskojë ndonjë nga anëtarët apo ta emëroj komplet grupin e ri dhe pastaj të vazhdohet procedura”, ka thënë Luzha.

Ndërsa, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë në një intervistë për një medium slloven se është e rëndësishme të fillohet me përcaktimin e statusit të serbëve në Kosovë dhe kompetencat e Asociacionit.

Për këtë të fundit pritet të diskutohet në takimin e 2 majit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.