Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Jaromír Zůna, në margjinat e takimit CEDC – Western Balkans.
Maqedonci ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes, transferimin e teknologjisë, si dhe trajnimin dhe edukimin ushtarak.
“Në margjinat e takimit CEDC – Western Balkans, u takova me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Jaromír Zůna”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai ka thënë se e ka falënderuar ministrin çek për kontributin e Republikës Çeke në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në KFOR, si dhe për mbështetjen në procesin e integrimeve euroatlantike.
“E falënderova ministrin Zůna për kontributin e Republikës Çeke në sigurinë e Kosovës, përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Maqedonci.