Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Shaban Jashari dhe të bijtë, Ademi e Hamza, së bashku me të gjithë anëtarët e familjes, dhanë shembullin e një rezistence totale, duke vazhduar luftën deri në frymën e tyre të fundit.

Ai ka theksuar se ata u bënë simbol i lirisë dhe i një epopeje që shënoi historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pas 26 vjetësh, ministri Maqedonci ka thënë se rezistenca e Jasharëve është burim frymëzimi për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Që nga atëherë para 26 viteve dhe deri sot, rezistenca dhe lufta e Jasharëve të Prekazit, është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri, duke u trashëguar deri te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në misionin e tyre për ta ruajtur këtë liri. 26 vjet përpjekje për ta kultivuar luftën e drejtë për liri dhe për ta frymëzuar me të luftën për shtetndërtim. 26 vjet Epope e UÇK-së: 26 vjet lavdi!”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.

Po ashtu, ai ka thënë se gjatë 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, fshati Prekaz bëhet dëshmi e një rezistence të palëkundur dhe heroike.

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, pritet të mbahet manifestimi qendror i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në nderim dhe kujtim të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë.