Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Republikën Çeke që po përballet me përmbytje të mëdha.
Ministri Maqedonci ka bërë të ditur se ka kontaktuar homologen e tij, ministren e Mbrojtjes së Republikës Çeke, Jana Černochová, dhe i ka ofruar ndihmë përmes kapaciteteve të kërkim-shpëtimit dhe formave të tjera të mbështetjes humanitare.
“Me rastin e vërshimeve të jashtëzakonshme në Republikën e Çekisë, i shpreha gatishmërinë për të ofruar ndihmë përmes kapaciteteve të kërkim-shpëtimit apo formave të tjera të mbështetjes humanitare,” ka thënë Maqedonci në Facebook.
Ai ka shtuar se mendimet e Kosovës janë me të gjithë të prekurit dhe ka shpresuar që kjo krizë të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme.
Ministri Maqedonci ka theksuar se Kosova qëndron në mbështetje të Republikës Çeke në këtë periudhë të vështirë.