(E përditësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të presë në takim gjatë ditës Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jason Baker.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, takimi do të zhvillohet nga ora 15:00 në Kabinetin e Presidencës ndërsa mediat, mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Bazuar në njoftimin e ambasadës së SHBA-së një ditë më parë, tema e diskutimeve do të jetë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Përpos presidentes Osmani, zyrtari amerikan Baker do të pritet edhe nga Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci.

Takimi që pritet të mbahet nga ora 16:00 do të zë vend në zyret e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ftohen përfaqësuesit e mediave të përcjellin këtë takim i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju faleminderit për bashkëpunim!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky takim vjen pas udhëtimit në SHBA të Ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandantt të FSK-së, Gjeneral-Lejtnant Bashkim Jashari, në qershor të këtij viti në Departamentin e Mbrojtjes në Washington D.C., duke theksuar partneritetin strategjik me SHBA-të.