Maqedonci takohet me O’Brien në ShBA, rikonfirmohet mbështetja për FSK-në
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, James O’ Brien. Siç ka bërë të ditur O’Brien, gjatë takimit është theksuar mbështetja vazhdueshme e SHBA-së ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila aktualisht, siç ka shtuar ai, po transformohet në një forcë […]
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, James O’ Brien.
Siç ka bërë të ditur O’Brien, gjatë takimit është theksuar mbështetja vazhdueshme e SHBA-së ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila aktualisht, siç ka shtuar ai, po transformohet në një forcë mbrojtëse territoriale e multietnike.
Përfaqësuesi amerikan O’Brien, gjithashtu, ka shprehur gëzimin për këtë bashkëpunim dhe ka rikonfirmuar partneritetin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Ne e mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa ajo kalon në një forcë mbrojtëse territoriale multietnike, profesionale, të ndërveprueshme nga NATO-ja, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile. Kënaqësi të takoja sot ministrin kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot, dhe rikonfirmojmë partneritetin tonë me Kosovën”, ka shkruar O’Brien në platformën X.
Për takimin e mbajtur këtë të mërkurë mes Maqedoncit dhe O’Brien, ka shkruar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ai ka shprehur vlerësimin e tij për rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë mes dy vendeve, duke e cilësuar si thelbësor për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
“Takimi i rëndësishëm mes ministrit Ejup Maqedonci dhe ndihmëssekretari O’Brien sot. Bashkëpunimi ynë në sektorin e sigurisë është thelbësor për arritjen e qëllimeve tona me Kosovën, duke përfshirë mbështetjen e integrimit të plotë të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar ambasadori Hovenier, në platformën X.
We support the Kosovo Security Force as it transitions to a multi-ethnic, professional, NATO-interoperable, territorial defense force, subject to civilian oversight. Great to meet Kosovan Minister of Defense @EjupMaqedonci today & reaffirm our partnership with Kosovo 🇽🇰. pic.twitter.com/9rL4odVgMe
— Assistant Secretary Jim O’Brien (@StateEUR) December 13, 2023















