Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ministri i mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar me ministrin e shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker.
Në këtë takim, Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në procesin shtetformues dhe në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.
Palët kanë diskutuar gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve, trajnimet dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake.
Në këtë kontekst, u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në kuadër të misioneve të përbashkëta në Ishujt Falkland dhe Belize, si dhe kontributi në operacionin Interflex.
Të dyja palët kanë ritheksuar përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me synim rritjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.