Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të premten ka vizituar departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u prit nga zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Sasha Baker.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, u prita nga zevendës-sekretarja e Mbrojtjes, Sasha Baker, ndihmës-sekretarja e Mbrojtjes për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, Celeste Wallander, ndihmës-sekretarja e Mbrojtjes për Evropë dhe NATO, Lisa Sawyer si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes”, ka thënë ai.

Zëvendëssekretarja Baker ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës për kontributin e saj në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Siç ka shkruar Maqedonci në Facebook, diskutimet në takim u përqendruan në raportet bilaterale ushtarake, planin e tranzicionit dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në trajnime dhe ushtrime të përbashkëta.

“Në takim u diskutua për raportet bilaterale ushtarake, planin e tranzicionit, mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në aspektin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta si dhe konsultimet rreth planit bilateral të mbrojtes që do të diskutohet në fillim të vitit 2024”, ka shkruar ai.

Sipas tij, synimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe koordinimi për kontribut në paqe dhe siguri në regjion dhe më gjerë u rikonfirmua gjatë takimit.

Ministri Maqedonci ka vazhduar vizitën me një takim me ndihmëssekretarin e Ushtrisë së SHBA-së për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji, Douglas Bush.

Po ashtu, ministri ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri kryesor strategjik i Kosovës.