Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencën e fundvitit për media, ka vlerësuar progresin e arritur në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë këtij viti, duke njoftuar se 97% e buxhetit të dedikuar për mbrojtjen është shpenzuar me sukses.

Maqedonci theksoi se gjatë mandatit të tij janë arritur rezultate në fuqizimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Kemi pasur katër objektiva. Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, më e përgatitur dhe e trajnuar se kurrë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin tonë”, ka shkruar Maqedonci.

Një nga arritjet kryesore të përmendura nga Maqedonci ishte, dyfishimi i numrit të ushtarakëve në FSK.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë katër viteve të fundit, janë investuar mbi 270 milionë euro në armatim dhe ngritje të kapaciteteve ushtarake.