Prej shtatë vitesh, jeta e 33-vjeçarit Darko Najdeski nga Ohri mbahet me ndihmën e dy pompave mekanike, ndërsa gjendja e tij tashmë është rënduar dhe nevoja për transplant të zemrës është bërë urgjente.
Najdeski aktualisht ndodhet i shtruar në spital. Pompat mekanike vazhdojnë të funksionojnë, por zemra e tij natyrale po dobësohet dhe, sipas familjes, nuk po arrin më ta përballojë gjendjen.
Në vitin 2019, kur në Maqedoninë e Veriut ende nuk realizoheshin transplantime të zemrës, vendosja e mbështetjes mekanike të qarkullimit të gjakut ishte mundësia e vetme për t’ia shpëtuar jetën. Pajisjet ishin paraparë si një zgjidhje e përkohshme deri në sigurimin e një zemre për transplant. Megjithatë, shtatë vjet më vonë, ai vazhdon të presë.
Bashkëshortja e tij, Irena Raleva Najdeska, thotë se situata është jashtëzakonisht urgjente, pasi problemet nuk lidhen me funksionimin e pajisjeve, por me përkeqësimin e gjendjes së zemrës së Darkos.
Sipas saj, përdorimi për një periudhë kaq të gjatë i mbështetjes mekanike sjell edhe komplikime të tjera, prandaj transplantimi i zemrës nga një dhurues i ndjerë është bërë domosdoshmëri për t’i dhënë atij mundësinë për të vazhduar jetën.
Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe 41-vjeçari Vasko Joleski nga Struga, i cili prej më shumë se gjashtë vitesh jeton me mbështetje mekanike të qarkullimit të gjakut.
Për pacientët e tillë, pritja e gjatë rrit rrezikun e komplikimeve dhe mund të ndikojë edhe në funksionimin e organeve të tjera.
Joleski, i cili drejton Shoqatën “Zemër e Guximshme”, ka bërë thirrje që pacientëve që prej vitesh jetojnë me mbështetje mekanike t’u jepet mundësia për transplant. Ai njëkohësisht u ka bërë apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e dhurimit të organeve.
Darko dhe Vasko janë mes pacientëve për të cilët transplantimi përbën mundësinë kryesore për një jetë pa varësi nga pajisjet mekanike. Për ta dhe dhjetëra pacientë të tjerë në listat e pritjes, vendimi për dhurimin e organeve mund të jetë vendimtar për shpëtimin e jetës.