Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se ka vënë në funksion aplikacionin mobil “Qytet i Sigurt”, i cili në fazën e parë u dedikohet shtetasve të huaj dhe drejtuesve të automjeteve me targa të huaja.
Përmes aplikacionit, përdoruesit mund të informohen për kundërvajtjet në trafik të regjistruara nga sistemi “Qytet i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e shqiptuara dhe të kryejnë pagesën e gjobave në mënyrë elektronike.
Për përdorimin e aplikacionit, drejtuesit duhet të fotografojnë ose skanojnë dokumentin e udhëtimit dhe të regjistrojnë targën e automjetit ose automjeteve që përdorin në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas MPB-së, kjo u mundëson drejtuesve të huaj të njoftohen me kohë për kundërvajtjet e evidentuara dhe t’i shlyejnë detyrimet pa pasur nevojë për ndalime apo vonesa shtesë në pikat kufitare.
Ministria e ka vlerësuar funksionalizimin e aplikacionit si një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve të lidhura me sistemin “Qytet i Sigurt”.
MPB-ja ka bërë të ditur se avancimi i shërbimeve digjitale do të vazhdojë, ndërsa në fazat e ardhshme pritet që aplikacioni të zgjerohet edhe me funksionalitete për kategori të tjera të përdoruesve.