Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie shtetërore në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u lënduan.

Shkon në 59 numri i të vdekurve nga zjarri në një klub nate në Maqedoninë e Veriut

Po ashtu, Qeveria maqedonase ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme në klubet e natës dhe ka kërkuar asistencë ndërkombëtare.

“Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë pas ngjarjes tragjike në Komunën e Koçanit, ku 59 të rinj humbën jetën në një incident fatkeq gjatë zjarrit në një diskotekë, ndërsa mbi 100 persona u shtruan në spital dhe po marrin kujdes mjekësor, Qeveria vendosi të shpallë 7 ditë zie në të gjithë vendin. Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosbindje do të jenë rigoroze.

Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim, me të cilin u obligua Inspektorati Shtetëror i Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e Republikës së Maqedonisë të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë (kabare, klub nate dhe diskotekë) dhe menjëherë ta njoftojë Qeverinë për konstatimet e inspektimit, në mënyrë që të përcaktojë gjendjen dhe kushtet sipas rregullores dhe akteve të tyre vendi.

Qeveria ka miratuar një vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.

Njëkohësisht, qeveria informon opinionin se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit, po mblidhen provat materiale dhe se të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike dhe që me vetëdije kanë kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore do të sillen para organeve të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në njoftim.