Marine Le Pen mund të kandidojë për presidente, pavarësisht dënimit për fondet e BE-së

Gjykata e Apelit në Paris ka lënë në fuqi dënimin e Marine Le Pen për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian, por ia ka zbutur dënimin, duke i hapur rrugën që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze të prillit 2027.

Ndalimi pesëvjeçar për ushtrimin e funksioneve publike është shkurtuar dhe është llogaritur me efekt prapaveprues nga marsi i vitit 2025. Gjykata vlerësoi se kjo masë tashmë konsiderohet e vuajtur.

Megjithatë, liderja e së djathtës radikale franceze, Tubimit Kombëtar (RN), është dënuar me një vit arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike përmes një byzylyku elektronik në kyçin e këmbës. Ky dënim, sipas gjykatës, nuk e pengon domosdoshmërisht të kandidojë për presidente, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Le Pen ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të kandidojë nëse duhet të mbajë byzylykun elektronik, pasi, sipas saj, nuk do të ndihej “plotësisht e lirë” për të zhvilluar fushatën.

Ajo pritet të njoftojë në një paraqitje televizive kombëtare në orën 20:00 nëse do t’i qëndrojë këtij qëndrimi, ose nëse do t’ia lërë kandidaturën protegut të saj, Jordan Bardella, 30 vjeç.

Marine Le Pen kryeson aktualisht sondazhet e opinionit publik, ndërsa kanë mbetur më pak se 10 muaj deri në zgjedhjet presidenciale. Ajo ka kandiduar tri herë për presidente dhe është mposhtur dy herë radhazi nga Emmanuel Macron, i cili nuk mund të kandidojë sërish për shkak të kufizimeve kushtetuese.

Macron nuk ka komentuar vendimin e gjykatës.

Në intervistën e saj të fundit televizive, një javë më parë, Le Pen ritheksoi se nuk do të zhvillonte fushatë presidenciale duke mbajtur byzylykun elektronik.

“Kur je kandidate për presidente, duhet të kesh liri të plotë lëvizjeje. Nuk mund të varem nga një gjyqtar për të më lejuar të mbaj një tubim elektoral apo të vizitoj një treg”, kishte deklaruar ajo për kanalin LCI.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata theksoi se kishte balancuar ndalimin për ushtrimin e funksioneve publike me të drejtën për kandidim dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur lirshëm.

Sipas gjykatës, ishte detyrë e saj të vlerësonte nëse dënimi ishte proporcional, duke theksuar se e drejta për të kandiduar dhe për të votuar është pjesë e procesit demokratik.

Megjithatë, gjykata e shpalli Marine Le Pen fajtore për përvetësimin e fondeve të destinuara për deputetët e Parlamentit Evropian gjatë periudhës 2004–2016, duke konstatuar se ato ishin përdorur për të paguar stafin e partisë së saj.

Të fundit nga rubrika