Marrëveshja e Ohrit, në rend dite edhe në samitin e BE-së

Pajtueshmëria e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së

Pamje nga samiti i BE-së, i mbajtur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe premten në Bruksel.

Po ashtu, pajtueshmëria e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat, shkruan REL.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

REL ka pasur qasje në draftin e konkluzave nga samiti i BE-së dhe në të gjendet edhe paragrafi në të cilin përshëndetet arritja e marrëveshjes në Ohër.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim, të implementojnë obligimet e tyre përkatëse”, përmendet në draft të raportit.

Krerëve të shteteve anëtare të BE-së do t’u raportojë në këtë temë edhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell.

Ai ka raportuar për këtë çështje edhe të hënën para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.

Arritjen e pajtueshmërisë në Ohër, Borell e ka quajtur “status quo të re”, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë kalimin nga një fazë e krizave në fazën e zbatimit të marrëveshjes.

Në samitin e fundit të Bashkimit Evropian, të mbajtur në muajin shkurt, liderët e BE-së e kanë mbështetur propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve dhe u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta pranojnë atë.

Përmes përfshirjes së kësaj çështjeje në Këshillin Evropian, BE-ja dëshiron të dërgojë porosi se sa lart në agjendën e saj është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika