Qeveria e Serbisë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një përkthyesi dhe e ka shkarkuar shefin e zyrës për bashkëpunim me media, për shkak të një raporti të publikuar në ueb-faqen e qeverisë, ku Kosovës i referohej si Republikë.

Siç raporton REL, se thuhet në njoftimin e 9 shkurtit të Qeverisë serbe, në mbledhje është vendosur që të niset procedurë disiplinore ndaj përkthyesit, i cili thuhet se ka bërë “gabim të rëndë në përkthimin e tekstit në gjuhën angleze”.

Kosova shpalli pavarësinë më 2008, por Beogradi refuzon që ta njohë atë. Qëndrimi zyrtar i Serbisë është që Kosova është ende pjesë e saj.

Gjithashtu, është vendosur edhe që të shkarkohet shefi i zyrës për bashkëpunim me media, ku ushtruese e detyrës në këtë pozitë është caktuar Divna Vidakoviq.

Më 6 shkurt, Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në raportin ku ishte shkruar Republika e Kosovës ishte bërë gabim gjatë përkthimit. Ajo ka shtuar se ky gabim “është i rëndë dhe i pafalshëm i përkthyesit”.

Po ashtu, ajo ka thënë se kjo përmbajtje ishte larguar menjëherë nga ueb-faqja e Qeverisë serbe.