Pesë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në veri të Michiganit, ndërsa personi i dyshuar për sulmin është gjetur i vdekur pas një operacioni kërkimi, njoftoi Policia Shtetërore e Michiganit.
Një person tjetër që mbeti i plagosur nga të shtënat vazhdon të trajtohet në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.
Policia u njoftua rreth orës 11:40 të së premtes për të shtëna në një shtëpi në Qarkun Missaukee. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë gjetën tre persona të vdekur dhe një tjetër të plagosur.
I dyshuari, i identifikuar si 39-vjeçari Chad Hickman, ishte larguar nga vendi i ngjarjes përpara mbërritjes së policisë, çka nxiti një operacion të gjerë kërkimi.
Gjatë kërkimeve, hetuesit gjetën edhe një viktimë tjetër të vdekur në një banesë të dytë.
Më vonë, policia lokalizoi automjetin e të dyshuarit pranë një zone të pyllëzuar në afërsi të Liqenit Whitlock. Në atë zonë u gjetën të vdekur Hickman dhe një person tjetër.
“Kjo situatë është zemërthyese për komunitetin dhe sfiduese për hetuesit e përfshirë”, deklaroi togerja Ashley Miller.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetin, moshën apo gjininë e viktimave, pasi procesi i njoftimit të familjarëve të tyre është ende duke vazhduar.
Hetimet për rrethanat dhe motivin e të shtënave po vazhdojnë.