Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se sot është organizuar Provimi i Maturës Shtetërore në 55 qendra testimi në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit të MASH, për këtë afat përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Procesi i testimit ka nisur në orën 10:00, në përputhje me planifikimin dhe procedurat e përcaktuara për administrimin e provimit.
Megjithatë, gjatë zhvillimit të testimit, 18 kandidatë janë përjashtuar nga provimi pasi janë kapur me telefona, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar komisionerët, administratorët dhe të gjithë personat e angazhuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore.