MASHT kthen përgjigje gjysmake për shpenzimet e zyrtarëve të saj
Vetëm 3 persona në kabinetin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci kanë shpenzuar vitin e kaluar 4 mijë e 259 litra të naftës për udhëtimet e tyre me veturat zyrtare. Televizioni Dukagjini i ka kërkuar këto dhe shpenzimet për tri kategori sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrare por MASHT nuk i ka ofruar ato […]
Vetëm 3 persona në kabinetin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci kanë shpenzuar vitin e kaluar 4 mijë e 259 litra të naftës për udhëtimet e tyre me veturat zyrtare.
Televizioni Dukagjini i ka kërkuar këto dhe shpenzimet për tri kategori sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrare por MASHT nuk i ka ofruar ato të plota.
Madje, si në asnjë rast e praktikë e paparë, kjo Ministri ka zgjedhur që të dërgoj emrat e shoferëve e jo të zyrtarëve politikë.
Ata kanë zgjedhur që të dhënat t’i dërgojnë vetëm për Dukagjin Pupovcin, që më nuk është zëvendësministër ndërkaq për shpenzimet e Arbërie Nagavcit, kanë dërguar të dhënat në emrin e shoferit të saj. E njëjta ka qenë në rastin e zëvendësministres, Edona Maloku.
Kjo është kuptuar tek kur Dukagjini ka insistuar të dijë pozitat e dy zyrtarëve që MASHT-i i ka ndarë të dhënat, e që pastaj ka dal të jenë shoferët e ministres dhe zëvendëses së saj.
Sipas këtyre të dhënave, ministrja Nagavci ka shpenzuar 2932 litra karaburante, dhe zëvendësja e saj, Edona Maloka që ka shfrytëzuar 879 litra me veturën e saj zyrtare.
Ish-zëvendësministri që është dorëhequr në nëntor, Dukagjin Pupovci, ka shpenzuar për udhëtime 448 litra karburante.
Gjithashtu, MASHT-i ka ofruar qasje vetëm për karburante në litra e jo sa kanë qenë shpenzimet në të holla.
Kështu, nëse llogaritet një litër me 1 euro e gjysmë i bie që diku këta tre persona të kenë shpenzuar rreth 28 mijë euro.
Televizioni ka kërkuar edhe shpenzimet për mëditje dhe shpenzime për dreka e darka por të cilat nuk janë bërë publike nga Ministria e Arsimit as pas kalimit të afatit ligjor.
Për këtë, po sipas ligjit televizioni është ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Të njëjtit po thonë se ka pak ankesa që i drejtohen kësaj agjencie për mostransparencë për Ministrinë e Arsimit.
“Ministria e Arsimit për sa I përket statistikave tona ka tre deri në katër ankesa që janë drejtuar tek ne për ta. Deri tani Ministria e Arsimit i është përgjigjur qoftë letrës së parë njoftuese që e ka bërë agjencia apo qoftë edhe një vendimi detyrues që ne e kemi arritur ta lshojmë ndaj tyre”, ka shkruar Krenare Sogojeva, Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Gjithsesi, nga kjo Agjenci kanë sugjerime për institucionet e vendit në mënyrë që njëjtit ta ngrisin transparencën, për të cilën janë të obliguar.
“Është shumë e rëndësishme që institucionet publike të krijojnë qasje me të lehtë për qytetarët, domethënë të bëjnë publikimin në WEB faqet e tyre, çdo dokument që ata prodhojnë në mënyrë që qytetarët të mos humbasin kohë për një dokument për të kërkuar një dokument i cili edhe poashtu është publik”, ka thënë Sogojeva.
Ani se nuk kanë kthyer përgjigje sipas afatit ligjor, Dukagjini ka pyetur përsëri Ministrinë e Arsimit për arsyen e kësaj mostransparence dhe arsyet e moskthimit të përgjigjes por ata nuk janë përgjigjur as në këto pyetje.















