Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me shoqatat familjare, sot nga Kryetari i Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës z.Ahmet Grajçevci janë pranuar materiale dokumentare që kontribuojnë në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës.

Materialet e dorëzuara, që përfshijnë dokumente, fotografi dhe video-incizime, do të trajtohen nga Njësia e Komisionit dhe do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse të verifikimit, analizës dhe administrimit të mëtejmë.

“Këto materiale do të kontribuojnë në  zhvillimin e aktiviteteve kërkimore dhe vlerësuese në terren; verifikimin dhe analizën e të dhënave;  plotësimin dhe përditësimin e Regjistrit Qendror të Personave të Zhdukur;  ndërgjegjësimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë prezantimet e përbashkëta me shoqatat familjare.

Materialet e pranuara janë digjitalizuar në kuadër të projektit të implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me përkrahjen e Ambasadës Britanike.

Komisioni mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me familjet, shoqatat familjare dhe partnerët institucionalë, për të mundësuar trajtimin dhe shfrytëzimin efektiv të çdo informacioni që mund të kontribuojnë në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur./KP