Rreth 1.8 milion pelegrinë myslimanë u drejtuan të martën drejt fushës së Malit Arafat në Arabinë Saudite perëndimore, në kulmin e pelegrinazhit vjetor të Haxhit.
Ecja e pelegrinëve u monitorua nga afër nga forcat e sigurisë të vendosura përgjatë rrugëve dhe korridoreve për këmbësorë, me qëllim menaxhimin e turmave sipas planeve të miratuara, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.
Agjencia bëri të ditur se trafiku ishte i qetë ndërsa pelegrinët udhëtonin nga Mina drejt Arafatit.
Në Arafat, ata do të falin namazin e drekës dhe të ikindisë në formë të bashkuar dhe të shkurtuar në Xhaminë Namirah.
Në perëndim të diellit, pelegrinët do të vazhdojnë drejt Muzdalifahut, ku do të falin namazin e akshamit dhe jacisë, më pas do të qëndrojnë aty gjatë natës deri në agimin e ditës tjetër.
Ritualet e Haxhit nisën zyrtarisht të hënën me mbërritjen e pelegrinëve në Mina, në perëndim të Arabisë Saudite, nën masa të gjera sigurie dhe shërbime të organizuara për lehtësimin e pelegrinazhit.
Sezoni gjashtëditor i Haxhit përfshin qëndrimin në Arafat të martën, kalimin e natës në Muzdalifah, ritualin simbolik të gjuajtjes me gurë dhe tavafin lamtumirës në Xhaminë e Madhe në Mekë.
Ky pelegrinazh përbëhet nga disa rite që simbolizojnë konceptet themelore të besimit islam dhe përkujtojnë sprovat e Profetit Ibrahim dhe familjes së tij.
Autoritetet saudite kanë zgjeruar masat organizative dhe të sigurisë për sezonin e Haxhit 2026, përfshirë përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes dhe sistemeve për monitorimin e turmave, me qëllim menaxhimin e lëvizjes së pelegrinëve dhe parandalimin e hyrjeve të paautorizuara në vendet e shenjta.