Mbi 1,000 migrantë kalojnë Kanalin pas marrëveshjes Britani–Francë
Më shumë se 1,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla të premten, vetëm një ditë pas deportimit të parë të realizuar në kuadër të marrëveshjes “një brenda, një jashtë”, të nënshkruar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Marrëveshja, e cila hyri në fuqi më 5 gusht pas miratimit edhe nga Komisioni Evropian, parashikon […]
Më shumë se 1,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla të premten, vetëm një ditë pas deportimit të parë të realizuar në kuadër të marrëveshjes “një brenda, një jashtë”, të nënshkruar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.
Marrëveshja, e cila hyri në fuqi më 5 gusht pas miratimit edhe nga Komisioni Evropian, parashikon që për çdo migrant të kthyer në Francë, Britania të lejojë një azilkërkues të hyjë në mënyrë të sigurt dhe të ligjshme, me kusht që të mos kenë tentuar më parë hyrjen ilegale.
Sipas shifrave të fundit të Ministrisë së Brendshme britanike, 1,072 persona e bënë kalimin të premten në 13 varka, me një mesatare prej më shumë se 82 personash për varkë. Kështu, numri i përgjithshëm i kalimeve për këtë vit ka arritur në 32,103, një rekord i ri për këtë periudhë të vitit.
Edhe pse qeveria shpresonte që marrëveshja me Francën do të shërbente si pengesë, duke dekurajuar migrantët nga kalimet e rrezikshme, fluksi i së premtes tregon se politika deri tani ka dhënë pak efekt.















