Mbi 2 mijë raste të dhunës, ditët e aktivizmit synojnë të ulin shifrat
Veç në 24 orët e fundit, në adresën e Policisë kanë shkuar raportime për 5 raste të dhunës në familje. Numri konsiderohet shqetësues për një ditë, por edhe më alarmante vlerësohen shifrat e përgjithshme të këtij institucioni. Statistikat konfirmojnë se për 10 muaj, 2260 persona kanë qenë viktima të dhunës në familje. Edhe më shumë […]
Veç në 24 orët e fundit, në adresën e Policisë kanë shkuar raportime për 5 raste të dhunës në familje.
Numri konsiderohet shqetësues për një ditë, por edhe më alarmante vlerësohen shifrat e përgjithshme të këtij institucioni.
Statistikat konfirmojnë se për 10 muaj, 2260 persona kanë qenë viktima të dhunës në familje.
Edhe më shumë e rëndon gjendjen, fakti që në 1763 nga këto raste viktimat kanë qenë gra.
Këto shifra vihen në pah në kuadër të fushatës vetëdijesuese “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, që po vazhdon akoma.
Por tavolinat e rrumbullakëta dhe aktivitetet kundër dhunës, për aktivisten Neri Ferizi kanë mbetur veç formale, dhe sipas saj, rezultati i tyre nuk u pa asnjëherë.
Ajo thotë se fillimisht duhet të ndryshoj mendësia brenda institucioneve.
“Na duhet me u fokusu për ndërgjegjësim të personave që punojnë brenda institucioneve fillimisht, e pastaj me dalë me ndërgjegjësu popullatën, se mendoj që nëse na kemi me marrë hapa ma radikal, sidomos gjykata prokuroria edhe policia, atëherë dhuna kish me u minimizu, jo ministria e drejtësisë se ministria e drejtësisë mundet me i ashpërsu në format që ajo i posedon, por jo me vendos drejtësi tamam”, ka thënë aktivistja, Neri Ferizi.
Por për avokatin Yll Zekaj, ditët e aktivizmit janë të mirëseardhura veçse thotë se fushata të tilla duhet të jenë të përhershme.
Përderisa thekson se problematike mbetet ndëshkueshmëria për këto raste.
“Faktikisht ende nuk po shohim që kemi ndryshime rrënjësore pasi ka probleme në politikën ndëshkimore, edhe në këto raste në sistemin tonë gjyqësor, ne shohim edhe në sistemin prokurorial por edhe në atë gjyqësor sa herë kemi raste më të rënda, në drejtim të dhunës në familje, qoftë edhe atyre me fatalitet, shohim që njëra ndër hallkat e sistemit të drejtësisë qoftë polici, prokurori ose gjykatë dështon”, ka thënë avokati, Zekaj.
Pikërisht gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore vitin e kaluar, u vranë së paku 3 gra në Kosovë, mes tyre edhe Hamide Magashi, jeta e së cilës përfundoi së bashku me fëmijën që priste ta sillte në jetë.















