Më shumë se 58 mijë ndërtesa mund të jenë dëmtuar ose shkatërruar nga dy tërmetet që goditën Venezuelën javën e kaluar, sipas një analize paraprake të të dhënave satelitore, e cila sugjeron se shkalla e shkatërrimit mund të jetë shumë më e madhe sesa vlerësimet zyrtare.
Dy tërmetet që goditën vendin të mërkurën e kaluar, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, kanë lënë të paktën 1,943 të vdekur, mbi 10,571 të lënduar, ndërsa dhjetëra mijëra persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur nën rrënoja, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin ka bërë të ditur se deri në 6.8 milionë njerëz mund të jenë prekur nga katastrofa dhe kanë nevojë për strehim, ujë të pijshëm, shërbime sanitare, kujdes shëndetësor dhe ndihma të tjera emergjente.
Ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përmasat reale të dëmeve.
Të hënën, presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, deklaroi se 855 ndërtesa janë dëmtuar, prej të cilave 189 janë shembur plotësisht.
Megjithatë, një analizë fillestare e të dhënave satelitore e publikuar nga Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) lë të kuptohet se dëmet mund të jenë shumë më të mëdha dhe më të përhapura.
Pas analizimit të imazheve radarike me rezolucion të lartë, të mbledhura një ditë pas tërmeteve nga satelitët Sentinel-1 të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), studiuesit e Universitetit Shtetëror të Oregonit kanë arritur në përfundimin se rreth 58,870 ndërtesa ka shumë gjasa të jenë dëmtuar ose shkatërruar në zonat e prekura.
“Ky është një vlerësim paraprak dhe i shpejtë. Ai pasqyron ndryshime të papritura në sipërfaqe që janë në përputhje me dëmtimet”, thuhet në raport.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për shpërthime të mundshme të sëmundjeve, pasi sistemi shëndetësor i Venezuelës po përballet me presion të jashtëzakonshëm pas tërmeteve.
“Shërbimet shëndetësore janë nën një presion ekstrem, ndërsa institucionet po funksionojnë përtej kapaciteteve të tyre”, deklaroi zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, gjatë një konference për media në Gjenevë.
Ai shtoi se ekziston një rrezik i shtuar për shpërthime të fruthit dhe difterisë, për shkak të niveleve të ulëta të vaksinimit para tërmeteve, si dhe për përhapjen e etheve të verdha, malaries, dengës, chikungunya-s dhe virusit Zika.
OBSH bëri të ditur gjithashtu se vlerësimet paraprake kanë identifikuar mungesa në kujdesin obstetrik në qytetin portual La Guaira, pasi shumë punonjës të maternitetit rezultojnë ende të zhdukur pas tërmeteve.
Sipas organizatës, spitalet po përballen me mbingarkesë të pacientëve, vonesa në ndërhyrjet kirurgjikale, ofrim kaotik të shërbimeve, si dhe vështirësi në regjistrimin e viktimave dhe gjurmimin e personave të zhdukur.