Mbi 60 persona janë plagosur në një sulm me dron që kishte në shënjestër rajonin Binyamina në veri të Izraelit, kanë njoftuar ekipet mjekësore.

Në një deklaratë, organizata vullnetare e reagimit emergjent, United Hatzalah, tha se gjendja e të plagosurve varionte nga kritike deri te e lehtë. Të gjithë të plagosurit janë dërguar në pesë spitale rajonale, ose me ambulancë ose me helikopter.

Hezbollahu ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ai kishte në shënjestër një kamp stërvitor të Brigadës Golani të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në atë zonë, e cila ndodhet midis Tel Avivit dhe Haifës.

Zyra mediatike e grupit të armatosur tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj sulmeve izraelite në jug të Libanit dhe në Bejrut të enjten. Hezbollahu raportoi se kampi në veri të Izraelit u godit përmes një “sulmi me dronë”, raporton BBC.

Rregullat e censurës izraelite ndalojnë mediat që të thonë saktësisht se çfarë u godit dhe ku, por disa media izraelite raportojnë se lokacioni u godit nga një dron i vogël i nisur nga Libani – një armë relativisht e thjeshtë që duket se nuk ka aktivizuar alarmin e hershëm.

Pamjet e transmetuara nga mediat izraelite tregojnë të plagosurit që ndihmohen në automjete emergjente, përfshirë helikopterët. Mediat izraelite raportuan se 67 persona janë plagosur, katër prej të cilëve janë në gjendje kritike dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë.

Shumë nga të plagosurit janë evakuuar në Qendrën Mjekësore Hillel Yaffe në Hadera të afërt, ndërsa të tjerët janë dërguar në spitale në Tel Hashomer, Haifa, Afula dhe Netanya.

Detajet ende janë të pakta, por duket se shumë nga të plagosurit ndodheshin në një mensë të përbashkët në kohën e sulmit dhe janë kapur krejtësisht në befasi. Imazhet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një sallë të zbrazur me një vrimë në çati.