Më shumë se 900 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza këtë vit, pavarësisht armëpushimit, sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi.
Sipas ministrisë, kjo e çon në më shumë se 1,300 numrin e palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor, përfshirë 301 fëmijë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për ndalimin e luftës pasi pranuan planin 20-pikësh të paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Plani parashikonte ndër të tjera pezullimin e “të gjitha operacioneve ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe artilerike”.
Që atëherë, BBC Verify ka analizuar dhjetëra video që tregojnë pasojat e sulmeve izraelite në disa lokacione, përfshirë një kafene pranë detit, çadrat ku strehohen personat e zhvendosur dhe një procesion funeral të raportuar në Gazën qendrore.
Muajt e fundit kanë qenë ndër më vdekjeprurësit, sipas të dhënave, me më shumë se 100 persona të vrarë çdo muaj nga prilli deri në gusht.
Ministria e Shëndetësisë ia atribuon vdekjet drejtpërdrejt veprimeve ushtarake izraelite, por nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
OKB-ja i konsideron shifrat të besueshme, ndërsa ekspertët i kanë thënë BBC Verify se analizat e tyre të pavarura janë në përputhje me të dhënat e ministrisë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) i kundërshtojnë shifrat e ministrisë. Në një deklaratë për BBC Verify, IDF tha se “nuk ka bazë për të supozuar” se të gjithë personat e listuar janë vrarë si pasojë e aktiviteteve të IDF-së.
IDF deklaroi se vepron “në mënyrë të saktë për të eliminuar kërcënimet dhe për të mbrojtur trupat e saj dhe civilët izraelitë, në përputhje me marrëveshjen”, ndërsa shtoi se përpiqet të minimizojë dëmet ndaj civilëve “në masën më të madhe të mundshme”.
Në fillim të këtij viti, mediat izraelite raportuan se një zyrtar izraelit i sigurisë kishte pranuar se më shumë se 70,000 persona ishin vrarë në luftën në Gaza, duke përfshirë, sipas raportimit, më shumë se 20,000 luftëtarë.
