Mbi raportin moral si çështje psiko-sociale në veprën “Mbreti Lir i stepës” të Ivan Turgeniev

Drawn & Ftched by Robert Dodley

Vepra “Mbreti Lir i stepës” i Ivan Turgeniev sigurisht që mund të analizohet dhe komentohet në shumë mënyra dhe shumë forma. Aftësia e tij mjeshtërore që rrëfen, të lë gjithnjë në nivelin e interesit te joshjes së çfarë do të ngjaj pastaj, lexuesin e mbanë lidhur me zinxhirët e pasionit drejt fatit të cilin do ta përcjell personazhi. Së bashku me personazhin dhe së bashku me rrëfyesin bëhemi pjesë e aty për atyshme e gostisë, e fjalosjeve, e ngjarjeve e situatës, sikur të ishe një pjesë e brendshme dhe pasive e vetë veprës.

Ajo që më ka cytur mua gjatë leximit dhe gjatë mendimit të veprës janë personazhi kryesor, Harrllovi (Martin Petroviç) – karakteri, personaliteti, sjelljet në familje, pronar çifligësh, mik, banor fshati, dhe mbi të gjitha familjar dhe baba. Në relacion me të gjitha këto cilësime që si vijnë si predikate për një shënjues të një a më shumë cilësi moralesh. Harrllovi ka qasje dhe sjellje që i bën për nga detyra (deos) ose disa nga to, dhe pastaj si pasojë e vendimeve të tij të parapara dhe të paparapara si pasojë që do të i’a ndryshojë fatin e jetës së tij, dhe të gjithë atyre që janë pjesë e jetës së tij.

Vendimi i tij i madh, ndonëse nga më të çuditshmet, por koha ishte që vendimi, pas një ëndrre që kishte parë shtatëgjati – Harllov, ta shpërndante pasurinë e tij tek dy vajzat e vetme që kishte – Eva’s dhe Evlampia’s.

Ëndrrën për vdekjen e tij mund ta shohim si motivin më të fuqishëm për dikotominë e sjelljes së tij: A) të marrurit me vetën, brenga ndaj vetës, kërkesa për qetësi, dhe rikthimi te vetja. B) Lënia e pasurisë vajzave edhe si pasojë e të parës, por edhe si një akt më i lartë moral, e vetë-moral në të gjallët e tij.

Ëndrra si fat epifanik

Ky vendim kishte ardhur si një moment epifanie, një mesazh vegues që kishte ngulitur në kokën e Harrllovit se i kishte ardhur koha për të vdekur. Me këtë arsyetim, në takim me mikeshen e tij të vetme Natalia Nikollnajevna nëna e rrëfyesit të ngjarjes u konsultua deri në pikën që: ajo kundërshtonte ashpër, me butësinë e mikeshës që brengoset për të ardhmen e tij, dhe Harrllovi që argumentonte se kishte ardhur koha të kujdesej për vetën, të rrinte në qetësi, dhe t’i kushtonte kohë gjërave të tij dhe kohë vetës së vetë.

Vendosmëria e Harrllovit ishte e një njeriu të veçantë, meqë, atëbotë, pothuajse gjithçka shkoj sikurse edhe sot rreth pozicionit material, i cili shpije drejt e në respektin dhe gëzimin e privilegjuar në rrafshin shoqëror. Të cilat, të gjitha këto i posedonte me bollëk, Harrlovi. Marrja definitive e vendimit për tua lënë gjithë pasurinë: Çifligun, kuajt e tokat, vajzave, veçse kishte përfunduar. Për ta festuar e kryer ceremoninë, ishin ftuar shumë njerëz, nëpunës shteti për të kryer formalitetet, miq dhe dashamirë. Në gostinë e organizuar nga Martin Petroviç Harrllov, për tua deleguar të drejtat dhe privilegjet e tij mbi pasurinë dhe pushtetin e tij, njerëzit vesh më vesh, flisnin: “Bëri mirë” – tha njeri. “Do ta lënë pa asgjë” thoshte tjetri. “Burrë i madh është ky” – dëgjohej një atje. Derisa kryheshin të gjitha formalitetet, Harrllovi ndihej i jashtëzakonshëm, sikur po bënte diçka që s’do bënte kush në të gjallët e në shëndetin e tij.

Nga gjithë ajo kënaqësi që e mbushte edhe me gëzim e edhe me trishtim, një gjë nuk kuptonte, fytyrën mosmirënjohëse e të palëvizshme të vajzës së vogël Evlampia, e cila ishte ende e pamartuar. Harrllovit i’a hidhnin fytyrës fjalët nëpër dhoma e ndeja se: “Si mund t’i besosh dhëndrit tënd (Sotkinit), për t’ia lënë pasurinë”, “A nuk brengosesh që do të të lë jashtë?” Harrllovi i’u përgjigjej me qetësi dhe me kërrnamën e njeriut të pashoq: “Po u’a lë vajzave të mija, ato do të kujdesen për mua dhe do të më japin ushqim në kabinetin tim”.

Mirë e menduar dhe lehtë e thënë kjo, por që, në besimin e madh dhe të natyrshëm në fëmijën e familjen, në të afërmit, projektimi i vetë-realizmit të veprimit nga një Unë të bartet tek tjetri si domosdoshmëri, jo gjithnjë ka relevancën e tij, sepse mund të jetë vetëm subjektive. Jo fati ynë gjithnjë është i siguruar në mirëqenien e optikës prej së cilës shohim ne, e na shohin ata që kemi të afërm. Beso vetëm aq, sa ky besim të ketë leverdi më shumë se sa diçka tjetër materiale. – Një besim i matur me peshoren e pragmatikës, që dobia të jetë siguresë e një fati larg ideales, por afër dhe aktual ndaj reales.

Morali i lartë dhe ideali i babait Harrllov, që edhe nga frika personale mbi vdekjen dhe nga papërsosmëria dinake kishte vendosur mirëqenien, ose thënë më mirë ngritjen e vajzave të tij përbri dhe përballë vetës si reagim jo vetëm që do ta linte në një pension ku do ta priste vdekjen e tij. Por edhe si një akt emancipues brenda së cilës matet aftësia e tjetrit (vajzave të Harrlovit) drejt përgjegjësisë mbi të tjerët me pushtetin tashmë të arritur.

Kjo mostër e veprimeve që rrinë në mendjen e Harrllovit nuk u realizua. Në ngritjen e vazhdueshme të Suvenirit (shërbëtorit të Natalia Nikollnajevës) i cili pasi e kishte parë gjendjen e katandisur të Harrllovit, i cili kishte mbetur pa asnjë fjalë në gjuhë dhe në mendje. Sikur ndjente diçka, që duhej mos ta kuptonin të tjerët, ajo ndjenjë turpi përballë një çukapiku me emrin suvenir që e torturonte Harrllovin: “Hë, të morën gjithçka?”, “Ke mbetur pa asgjë” – “Je vetëm për t’u tallur” dhe “Do të të lënë edhe pa shtrat” – ishin nga fjalët më të lehta që në gajasje i’a thoshte Harrllovit të qetë në fytyrë, i cili vlonte nga turpi ku e kishte hedhur vetën, vendimi i tij.

Harrllovit i’a kishin shitur kalin, i’a kishin marrë karrocën, dikur e kishin larguar edhe nga kabineti i tij. Harrllovi, nga një pronar çifligësh, i shumë respektuar e i shumënderuar, e i frikësuar nga të gjithë, për një çast u përmbys në skllav, ku talleshin të tjerët nga mëshira e madhe e vajzave të cilat Harrllovi bashkë me dhëndrin i stolisi me pushtet dhe pasuri.

Jo, edhe aq larg jetëve tona, dhe ambicieve të sëmura për gjëra materiale shkon ky mësim nga dyert e shtëpive të shoqërive kryekëput kapitale (nga mendësia kapitale). Janë shumë të tillë, që paktet i bëjnë me lehtësi që për një grusht pushtet e disa gishta pasuri japin të pazëvendësueshmen, të pabërshmen, dhe të pafitueshmën që humbet vetëm njëherë.

Dehumanizimi i njeriut sigurisht që nuk fillon vetëm me dëshirën e sëmurë për të pasur, për ta mirënjohur për diçka që s’jemi, për të jetuar në përralla dhe ëndrra që vetëm në uni-të egoist i bën favor, janë një lloj ontologjie e kalbur që ka prodhuar dhe do të prodhoj qenie që karakterizohen me të tilla veti e cilësi morale, dhe që shpërfaqën të tilla sjellje psiko-sociale, që sa janë ambiguitive e sa janë bi e tri polare, e sa janë thellë të çrregulluara, në humbjen e përgjithshme të parafytyrimit të imazhit mbi vetën përballë dëshirës për të poseduar.

Reaksionet e shoqërisë pas dëbimit të babait Harrllov, ishin me përçmim ndaj vajzave dhe ndaj dhëndrit të tij. Harllovi në humnerën e tij kishte arritur majën e durueshmërisë, teksa gjithnjë e gjithçka i thanë, e përulën, e përbuzën, e fyen, derisa lotët u bënë lum i madh i pendimit, për të cilin as nuk kishte mundësi të imagjinonte.

Nga Idealet, e nga paaftësia e tij të jetonte tashmë në fatin e vendimeve të cilat ndonëse si kishte pritur si qëllime të tilla morale (tellos) por si konkrete e kënaqshme për të gjithë, që do të përfitojnë dhe të jetojnë jo vetëm të shëndetshëm por edhe të lumtur (eudos) kishte marrë fatin e tij në dorë, i ndikuar negativisht dhe i motivuar djallëzisht nga “suvenirët” (njeri skllav, dinak e tiran) e shoqërisë, i dëbuar nga familjarët, i parespektueshëm nga rrethi dhe i ndjerë i padinjitetshëm përballë vetës, shkoj për tua shkatërruar çifligun, tokën e gjithçka tjetër, derisa në çast, nga çatia kishte rënë për të mbetur përgjithmonë i vdekur.

Vdekja e Harrllovit duhet të qëndroj si një lapidar mes dëshirës së mirë dhe zemrës së zënë peng. Në mes bamirësisë shpirtërore të njeriut baba, dhe shpirtit të mbetur i plagosur nga bamirësia e tij. Dhe, në fund, një mësim se asgjë nuk mund dhe nuk ka vlerën e një shpirti të cilit i japim dhe i marrim, qofshin edhe në armiqësi me të (shpirtin), e prej të cilit fitojmë kur e duam, e prapë e fitojmë, kur na sundojnë.

Asgjë më fyese e poshtëruese për shpirtin nuk ka, se sa ta bësh objekt talljeje në bamirësinë e tij.

Të fundit nga rubrika