Mbledhja e Qeverisë, gjithçka nga konferenca e kryeministrit Kurti

Mohimi për fomimin e Asociacionit, vizita në Hagë, pagesa e rrymës në Veri, kriza ekonomike, mundësia e tërheqjes së kursimeve nga Trusti, ishin disa nga çështjet për të cilat ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës, të mërkurën e një qershorit, e ka miratuar draftin e koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të tij, kishte thënë se ky fond do të shërbejë për transformimin ekonomik të vendit. Sipas tij, do të ketë orientim e investime të reja, si dhe rritje të punësimit.

Ky projekt ishte premtim i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

Fondi parasheh që asetet kryesore të shtetit t’i ketë nën menaxhim, dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet.

Pos kësaj, qeveria ka emëruar anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes “KRU Prishtina”, ku nga 100 kandidatë, janë zgjedhur katër kandidatë, me kryesuese Teuta Ukshinin.

Kandidatët e tjerë që u emëruan janë, Albana Berisha, Fadil Berisha, Saxhide Mustafa.

Po ashtu, qeveria ka emëruar edhe anëtarët e bordit të KRU Mitrovicës.

Kurti mohon se ka ndonjë plan për formimin e Asociacionit

Kryeministri Kurti, ka thënë se Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe se atij po i mjafton ky ekzistuesi.

Ai është deklaruar se nuk ka asnjë lëvizje të re lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kështu ka thënë ai në një konferencë për media, kur pyetet lidhur me deklaratën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila ka thënë se qeveria “e ka një propozim për asociacionin”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

“Nuk jam në dijeni si kryeministër për ndonjë plan për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk mund të shtoj diçka të re. Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacione në bazë etnike, mund të ketë mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike”, ishte shprehur Kurti.

Kurti për vizitën në Hagë: Mbase edhe mund t’i vizitoj

“Mbase edhe mund t’i vizitoj”.

Kështu është shprehur kryeministri kur është pyetur se a do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Gjykatën Speciale, në Hagë.

Ai konsideron se më e rëndësishmja në këtë fazë është komunikimi me avokatët e të pandehurve.

“Kam konsideruar se më e rëndësishmja në fazën në të cilën kalojmë, sa i përket Gjykatës Speciale që nuk është e lëvdueshme për nga transparenca e saj, të kontaktoj, të komunikoj dhe të diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, në paraburgim të stërzgjatur”, shtoi Kurti.

Sipas tij, është e rëndësishme që mbrojtjet e të pandehurve të mos shkojnë në dëm të njëra-tjetrës.

“Atje në pyetje nuk janë individë, dhe qysh në verën e vitit 2020, atëherë kur është publikuar aktakuza, unë kam paraqitur kritikën dhe kundërshtimin tim për atë që është quajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Merreni me mend që fillon në marsin e vitit 1998 kur ka filluar Epoeja e UÇK-së, jo vetëm që cilësohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale, por në të njëjtën kohë origjina e saj shihet në marsin e vitit 1998. Kam bërë edhe kritika të tjera, prandaj unë do ta kem këtë qasjen e përgjithshme të shtetit, të qeverisë, të timin për atë që është interesi i përbashkët. E unë besoj që është edhe i atyre që janë në paraburgim atje”, përfundoi Kurti.

Kurti: Nuk mund të vazhdojmë t’ia paguajmë rrymën veriut

Kurti, ka thënë se mosfaturimin e veriut të Kosovës kjo qeveri e ka trashëguar nga e kaluara.

Ai është shprehur se pagesa për energjinë e shpenzuar nga veriu i Kosovës, është vetëm borxh ndaj shtetit.

Kurti bëri të ditur se janë pranë një marrëveshjeje për këtë çështje. Sipas tij, pagesa e energjisë për veriun e vendit tash për tash është e domosdoshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ne e kemi trashëguar një gjendje të rëndë, ku nuk pasur faturim për energjinë në veri. Nuk ka alternativë dhe çdo cent i dhënë për veriun do të regjistrohet si borxh. Ne nuk jemi duke u falur paratë. Jemi duke e shpëtuar situatën. Është aspekti humanitar. Nuk dëshirojmë një rajon të tërë ta shkëputim nga energjia, nuk dëshirojmë të krijojmë pretekst për Serbinë të zgjerohet në Kosovë për kinse humanitetin e tyre”, kishte thënë ai.

Kurti: Jeta në Kosovë është vështirësuar, por jo më shumë se në BE

Për shkak të krizës ekonomike që ka ardhur si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, jeta e qytetarëve të Kosovës është vështirësuar, ka thënë i pari i qeverisë.

Sipas tij, jeta e qytetarëve të Kosovës nuk është vështirësuar më shumë se e atyre në vendet e Bashkimit Evropian.

“Unë e di që jeta në Kosovë është vështirësuar, por nuk është vështirësuar më shumë se në vendet e BE-së. Sepse inflacioni është më i larti ndonjëherë, këtu ka ndikuar dalja nga pandemia, dhe gjithashtu lufta e agresionit rus”, ka deklaruar Kurti.

Tërheqja e mjeteve nga Trust-i

Mundësia për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trust-i, ishte temë e agjendës në mbledhjen e qeverisë.

Kurti, teksa e ka komentuar këtë iniciativë, ka thënë se nuk nuk duhet të lejohet tërheqja.

Sipas të parit të qeverisë, fondi nuk ekziston për ta zbrazur, “ai është mbledhur për t’u mos u zbrazur”.

Këtë iniciativë të nisur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, Kurti e ka quajtur mosprofesionalizëm.

“Ky është niveli i profesionalizmit të kësaj kërkese, ky është niveli i seriozitetit dhe përgjegjësisë që e gjeni te sponzoruesit e kësaj iniciative. Dikush që sot me kaq lehtësi sugjeron tërheqjen e 30 për qind të Trustit, të jeni të bindur që nesër do ta ketë të lehtë të votojë që të njejtat të kalojnë në pronësi publike për tenderë asfalti”, shtoi ai.

I pari i ekzekutivit e ka quajtur “diletantizëm” iniciativën e Haxhiut.

Dhe për këtë ka pasur reagim edhe nga vetë deputeti opozitar.

“Albin për mashtrim dhe dilitantizëm je kampion”, i është drejtuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë edhe në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika