Të dielën e 11 dhjetorit do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kështu ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të mbajnë konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Konferenca për media do të fillojë në ora 12:30, sipas njoftimit të Qeverisë.

Kjo mbledhje e Këshillit të Sigurisë, vjen pas shumë sulmeve në veri me shok-bomba e po ashtu, me armë zjarri ndaj zyrtarëve policor të Kosovës.

Sveçla kishte bërë të ditur për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.

Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri. Pra, bllokimi i rrugëve më 10 dhjetor u nxit pas arrestimit të ish-policit serb.

Kujtojmë se, pas tensioneve në veri për çështjen e targave, më 31 korrik ishte mbajtur mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Kurti së bashku me akterët kryesorë të sigurisë, për rreth dy orë kishin diskutuar për çështjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.