Këtë të hënë, duke filluar nga ora 13:00, do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Ata do të shqyrtojnë planin e punës dhe buxhetin për komisionin.

Më 30 nëntor është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Kjo u arrit pasi konstituimi i këtij komisioni, kishte dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marrë pjesë në mbledhje.

Fillimisht, pati një përplasje ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi me deputetët e opozitës.

Kjo filloi kur deputeti i VV-së kërkoi deklaratat e dhëna nga deputetët e opozitës lidhur me rezervat shtetërore.

Sipas Thaçit, opozita ka bërë politikë dhe ka kërkuar arrestim të ministres Rozeta Hajdari.

Ky komision do t’i hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Iniciuesi i këtij komisioni, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës së fundit ka thënë se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Kujtojmë se në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, policia pati arrestuar Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë, shkruan EO.