Katër prej skuadrave më të mëdha të futbollit evropian do të përballen sonte në dy ndeshje të zjarrta të Ligës së Kampionëve.
Në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës, spektakli do të shpërthejë në “Parkun e Princave” në Paris dhe në “Anfield” të Liverpoolit.
Nga ora 21:00 zhvillohen dy supersfida, Paris Saint-Germaini përballet me Bayern Munchenin, ndërsa Liverpooli pret Real Madridin.
Tri nga këto skuadra – PSG, Bayern dhe Real Madrid – kanë ecuri të përsosur deri më tani, me pikë maksimale pas tre ndeshjeve. Parisi kryeson me nëntë pikë, aq sa ka edhe Bayerni që ndodhet në vendin e dytë, ndërsa madrilenët mbajnë pozitën e pestë me të njëjtin bilanc.
Liverpooli, që ka nisur më ngadalë, ka grumbulluar gjashtë pikë dhe renditet i dhjeti.
Forma më e mirë aktualisht i përket Bayern Munchenit, që po përjeton një fillim sezoni spektakolar.
Skuadra bavareze numëron 15 fitore radhazi në të gjitha garat – nëntë në Bundesligë, tri në Champions League, dy në Kupën e Gjermanisë dhe një në Superkupë.
Humbjen e fundit Bayernit ia kishte shkaktuar pikërisht Paris Saint-Germaini, më 5 korrik, në çerekfinale të Botërorit për Klube.
Spektakli i futbollit evropian pritet të jetë në maksimum, teksa të gjitha skuadrat kërkojnë fitore për të forcuar pozitat dhe për të dëshmuar pretendimet e tyre për trofeun më të madh në kontinent.