Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla kanë publikuar kartolinën e tyre zyrtare të Krishtlindjes për këtë vit, duke zgjedhur një fotografi të realizuar gjatë një vizite shtetërore në Itali.
Fotoja është shkrepur në prill, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, dhe i paraqet Mbretin dhe Mbretëreshën duke buzëqeshur krah njëri-tjetrit, teksa ecin në një shteg kopshti, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Mesazhi në brendësi të kartolinës uron: “Ju urojmë Krishtlindje dhe Vit të Ri shumë të lumtur.”
Në fotografi, Mbreti Charles, i pozicionuar në anën e majtë, mban veshur një kostum blu të errët me kravatë gri, ndërsa Mbretëresha Camilla shfaqet me një fustan–pallto në ngjyrë të bardhë dhe bezhë.
Kjo është kartolina e katërt e Krishtlindjes e çiftit mbretëror që prej momentit kur Charles u ngjit në fron.
Fotoja është realizuar nga fotografi Chris Jackson në ambientet e Villa Wolkonsky, rezidenca zyrtare e ambasadorit britanik në Romë.
Ajo u shkrep me rastin e 20-vjetorit të martesës së Mbretit dhe Mbretëreshës.
Një detaj simbolik në pamje është karfica e Mbretëreshës Camilla në formën e zambakut të luginës, një simbol i dashurisë së përjetshme.
Ashtu si kartolina e vitit të kaluar, edhe kjo foto ka një karakter më të thjeshtë dhe informal krahasuar me imazhin e zgjedhur për Krishtlindjet e vitit 2023.
Kartolina e vitit të kaluar ishte realizuar nga fotografja Millie Pilkington dhe tregonte çiftin mbretëror duke buzëqeshur në kopshtin e Pallatit Buckingham, pak pas rikthimit të Mbretit në detyrat publike pas trajtimit për kancer.
Ndërkohë, për Krishtlindjet e vitit 2023, Mbreti dhe Mbretëresha kishin zgjedhur një fotografi më formale, të realizuar në Sallën e Fronit në Pallatin Buckingham, pas ceremonisë së kurorëzimit.
Kartolinat festive janë një traditë e përvitshme për anëtarët e lartë të Familjes Mbretërore.
Çifti mbretëror do të kalojë disa ditë duke i nënshkruar personalisht kartolinat, të cilat do t’u dërgohen familjarëve, miqve, liderëve botërorë dhe organizatave të ndryshme në mbarë botën.