Mbrojtja kërkon mundësinë e kundërpyetjeve ndaj Bislim Zyrapit pas pyetjeve shtesë të ZPS-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi po vazhdon të japë dëshmi për prokurorinë speciale, në lidhje me akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Avokatët kanë shprehur kundërshtime në lidhje me procedurat e pyetjeve shtesë të prokurores duke kërkuar që të lejohet kundërpyetja në disa raste, ndërsa gjyqtarët kanë miratuar disa prej kërkesave për kundërshtim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në ditën e dhjetë të dëshmisë së tij, pyetjet shtesë për të po i bën prokurorja Clare Lawson, por që dolën çështje shtesë. Lidhur me këtë, mbrojtja e quajti situatë të pazakontë dhe kërkoi nga trupi gjykues që t’iu jepet mundësia e kundërpyetjeve.

“A do të na jepni mundësinë që të bëjmë kundërpyetje në fakt. Se po dalin materiale të reja që unë dua t’i shqyrtoj më tej me dëshmitarin. Kjo është një situatë e pazakontë për ne. Nëse po e prezanton një praktikë të tillë për herë të parë, atëherë për ne është situatë e pazakontë”, tha avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Për pyetjet e prokurores pati kundërshtime edhe mbrojtja e Hashim Thaçit përmes Luka Mishetiq, i cili tha se pyetjet e tilla, Lawson do të duhej t’i bënte në fillim dhe jo gjatë atyre shtesë.

“Këto pyetje duhet të bëheshin kur i bëri pyetjet fillimisht dhe jo gjatë pyetjeve plotësuese”, tha Mishetiq.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i kërkoi mbrojtjes që në një moment tjetër të bëjnë kundërshtimet e tyre.

“Mbarojmë me këtë pjesë dhe pastaj kur të jetë momenti i duhur ju lutem bëjeni të qartë qëndrimin tuaj ose më saktë bëni kundërshtimin tuaj”, tha Charles Smith III.

Megjithatë, Mishetiq kërkoi sërish shpjegim për pyetjet e prokurores Clare Lawson, e cila trajtoi çështje sidomos për telefonat satelitor të përdorur nga anëtarët e UÇK-së.

“Ne e kemi kërkesën se në qoftë se nuk na jepni të bëjmë kundërpyetjen atëherë, Prokuroria ta bëjë të qartë qëndrimin e vet se ku po don të dalë”, tha Mishetiq.

Lidhur me këtë, gjyqtari Fergal Gaynor tha se kjo gjë lejohet sipas një vendimi të trupit gjykues.

“I nderuar zoti Mishetiq, paragrafi 112 i urdhrit tonë e trajton shumë mirë çështjen e pyetjeve plotësuese. Thotë: Trupi gjykues do të lejojë pyetje plotësuese vetëm nëse prezantohen materiale të reja gjatë kundërpyetjeve apo pyetje plotësuese. Kështu që kjo është e lejueshme dhe ju mund t’i përdorni po ashtu materialet”, tha ai.

Pasi përfundoi pyetjet e saj Lawson, trupi gjykues miratoi kërkesën e Emmerson dhe kështu me kundërpyetje vazhdoi më pas avokati Mishetiq.

Gjatë pyetjeve shtesë, prokurorja Lawson pyeti dëshmitarin se a ka pasur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm jashtë Kosovës që i kanë dhënë atij informata.

“Jashtë Kosovës ka qenë komandanti i përgjithshëm, Azem Syla”, tha dëshmitari, duke mohuar se ka pasur ndonjë person tjetër që e ka bërë një gjë të tillë.

Dëshmitari po ashtu u pyet se a ka pasur kontakte me Kadri Veselin gjatë kohës kur ai nuk ndodhej në Kosovë.

“Pak pasi jam kthy nga perëndimi, kemi fillu bisedimet me Qeverinë Bukoshi, por jo më herët”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se Mensur Kasumi ka qenë pjesë e Drejtorisë Operative por jo përgjegjës i saj. Ai shtoi se Kasumi e kishte angazhuar që të merrej me G2-shin sa nuk ishte Kadri Veseli.

Ai pohoi se Shërbimi Informativ i Kosovës (ShIK), ka qenë në formim gjatë kohës së Qeverisë së Përkohshme dhe jo më herët.

Dëshmitari pohoi se telefoni satelitor të cilin e ka parë gjatë luftës është dukur si laptop që në pjesën e poshtme ka pasur ekranin kurse lart antenën.

Ai gjithashtu u pyet edhe për nofka të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm e po ashtu edhe të zonave e brigadave.

Bislim Zyrapi tha se nofkën “Gjarpri” e ka pasur Hashim Thaçi, dhe se “Kapush” ishte nofka e Mujë Krasniqit.

“Ka pas dy-tre që kanë çalu po cili saktë nuk e di tash. Sahit Jashari, Sabit Geci, tani në zonën e Nerodimes ka pas njëjtë Qopa po tash s’e di cili prej tyre”, tha Zyrapi kur u pyet se kush e kishte nofkën “Qopa”.

Lawson gjithashtu pyeti dëshmitarin se a ka pasur komandant në zonën e Drenicës që ka pasur emrin Fehmi, e që Zyrapi tha se ka qenë Fehmi Lladrovci. Ai pohoi se është e vërtetë se Lladrovci ishte i gjatë dhe me mjekër.

Pas kësaj, materialet që i prezantoi prokurorja për dëshmitarin gjatë pyetjeve shtesë u pranuan në prova materiale.

Seanca e sotme do të zgjasë deri në pushimin e drekës pasi që pjesa e dytë e seancës nuk do të mbahet ngase është paraparë seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

 Themelorja lë në fuqi aktakuzën ndaj dy ish-ministrave Endrit Shala...

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të...

Ambasada britanike për njohjen e Kosovës nga Sudani: Një moment...

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë përmes një postimi në Facebook e ka uruar Kosovën për njohjen e marrë nga shteti afrikan, Sudani. Ambasada...

Sudani e njeh pavarësinë e Kosovën

Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën. Lajmin për njohjen e Kosovës nga Sudani e ka dhënë e...

Të fundit nga rubrika