Avokati i Hashim Thaçit ka vazhduar t’i mohojë akuzat e ZPS-së ndaj klientit të tij. Ai tha se Hashim Thaçi nuk e kontrollonte të gjithë UÇK-në, por, atë e kontrollonin komandantët e zonave.

“Dhe këtu mund të shohim komentet që i pati bëri senatori Biden, bëri në takim në korrik të ’99-tës dhe bëri këto komente para komisionit të marrëdhënieve të jashtme. Mund të shihni se Thaçi po përpiqej të përparonte pozicionin e UÇK-së, dhe t’i jepte fund luftës”, ka thënë ai.

Po ashtu, mbrojtja e Thaçit tha se me të shkuar në Rambuje, Thaçi nuk merrte vendime për UÇK-në. Ai e përmendi heqjen e Azem Sylës nga strukturat komanduese, pa marrë mendimin e tij.

“Dje nga katër orë të ZPS-së nuk u përmend Adem Demaçi, nuk u përmend ndikimi i tij. Ky vendim për heqjen e Azem Sylës u bë pa u konsultuar, pa Azem Sylën dhe Hashim Thaçin. Dje qëndruam katër orë, duke dëgjuar për qendra ndalimi, pa përmendur faktin që komandanti i UÇK-së, pa marrë vendim nga personat që ndodheshin në Rambuje dhe që flisnin në emër të UÇK-së. Kush i komandonte këto qendra ndalimi, ishte shumë e qartë, ishin persona të nivelit lokal, komandantët e zonave dhe vartësit e tyre”, tha ai.

Si argument se Thaçi nuk ka pasur aq ndikim sa ka thënë ZPS-ja, avokati i Thaçit tha se ai nga Rambujeja kishte shkuar në Slloveni për ta marrë miratimin e Adem Demaçit, për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë.

“Sa i takon aftësisë të Thaçit për të nënshkruar marrëveshjes së Rambujesë, faktori i parë është se, duhej të ekzistonte njëfarë aprovimi nga Adem Demaçi. Ai ishte përfaqësuesi i përgjithshëm i UÇK-së, dhe autoriteti i rëndësishëm i UÇK-së. Thaçi u largua nga Rambujeja, për të shkuar në Slloveni për ta marrë miratimin e Demaçit. Albright e thirri Demaçin ta mbështetë Rambujenë, ai ishte kundër për shkak se nuk përfshinte pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Adem Demaçi, sipas mbrojtjes, kishte ndikim të madh në UÇK, më shumë sesa Hashim Thaçi.