Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka mbyllur një biznes të paregjistruar në Zubin Potok, ka konfiskuar produkte pa deklaracion të prejardhjes dhe ka shqiptuar gjobë prej 6 mijë eurosh ndaj një subjekti që u ka shërbyer pije alkoolike të miturve.
Sipas njoftimit të IQMT-së, masat janë ndërmarrë gjatë inspektimeve të fundit në këtë komunë, në kuadër të mbikëqyrjes së tregut në territorin e Kosovës.
Biznesi i mbyllur ushtronte veprimtarinë pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Ndërkaq, gjoba prej 6 mijë eurosh i është shqiptuar një subjekti tjetër ekonomik për shërbimin e pijeve alkoolike personave të mitur.
IQMT-ja u ka bërë thirrje bizneseve që ta regjistrojnë veprimtarinë e tyre, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë dispozitat ligjore.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë me inspektime në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të shkeljeve që cenojnë të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut.
