Në pamje të parë duket si vendi ideal për t’i ikur vapës dhe për të shijuar freskinë.

Por në pamje më të afërt vëren që pishina e Gërmisë nuk është plotësisht e mbushur me ujë. Qoshet i ka ende bosh, e uji vetëm i pastër nuk është.

Për rrjedhojë, dyert i janë mbyllur që nga sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Të zhgënjyer lidhur me këtë shprehen banorët të cilët, tani e kanë të pamundur ta frekuentojnë.

“Ne se kemi asnjë gjë pernime. Këtu gjithçka është dashur të përgatitet me kohë, kanë ditë kur nis sezona e verës, me bo çka kërkohet për çdo shtet. Duhet ta kenë ku të kalojnë kohën të ditë të nxehta të verës. Është për keqardhje, s’kam fjalë për gjanat që ndodhin këtu, s’më befason kurgjo. Me m’thanë dikush një gomar po fluturon me vesh në Kosovë thom okej, mundet me ndodhë se po ndodhim shumë gjana.!”, ka thënë Naim Llaloshi, banor i “Sofalisë”.

Pishina e Gërmisë menaxhohet nga Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing”, në faqen zyrtare të së cilës, thuhet se do të përsëriten analizat e ujit duke i testuar edhe pompat e filtrimit, sipas udhëzimeve të përcaktuara.

Por përfaqësuesi i banorëve lokal që edhe e denoncoi rastin, thotë se ky deklarim nuk qëndron.

“Është mbyllur për shkak të papastërtisë së pishinës, për shkak se Pishina e Gërmisë është hapur gjysmë e mbushur, nuk i ka plotësuar kriteret. Për këtë kam njoftuar të gjithë me kohë po s’ka marrë askush asgjë. Javën e kaluar e njoftova edhe Inspeksionin Komunal dhe IKSHPK dhe inspeksionin komunal s’ka reagu si përherë ndërsa inspeksioni fitosanitar po, ka marrë mostra dhe me vendim të tyre, u mbyll”, ka thënë Enver Redenica.

Për rrjedhojë, Redenica thotë se mbetet në pritje të raportit të IKSHPK-së e edhe dhënies së përgjegjësisë nga ana e drejtorit të ndërmarrjes.

“Nuk i plotëson kushtet, së pari duhet zbrasur krejt dhe mu pastru si duhet. Të jetë e pranueshme, t’i plotësoj kushtet dhe jo të vijnë njerëzit e të pësojnë lëndime siç ndodhi edhe me një vajzë 10 vjeçare. Ajo pësoi frakturë dhe rastin deshën ta mbyllin, mos të bëhet e madhe. S’ka qenë më mirë as viteve të kaluara por më keq se sot s’ka qenë asnjëherë, çdo vit po vjen duke u përkeqësuar me qëllimin të privatizohet. Sido që të jetë, veç le të jetë në shërbim të qytetarëve. Së pari, Bardh Krasniqi duhet të jap dorëheqje, s’ka ditë me menaxhu dhe së dyti, ti presim rezultatet e të shohim a kemi nevojë për kallëxim penal”, ka shtuar Redenica.

Televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim nga drejtori i “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, lidhur me mbylljen e përkohshme të Pishinës së Gërmisë, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon deri pas transmetimit të kronikës në televizion.

Pas transmetimit, Krasniqi është përgjigjur për Dukagjinin duke thënë se pishina do të qëndrojë e mbyllur deri të shtunën, për të realizuar analizat e ujit dhe testimin e funksionalitetit të pompave, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet transparencë dhe siguri sa i përket pastërtisë së ujit.

“Pishina është mbylle, deri te shtunën ne mënyre qe ti realizojmë analizat e ujit dhe te funksionalitetit te pompave, ne mënyrë qe te jemi transparent sa i përket pastërtisë se ujit! Është bo tejet mediatike dhe dramatike, pa qene e nevojshme sepse ne i kemi kry procedurat standarde duke e trajtu ujin me klor ashtu siç kërkohet, ndërsa kemi disa njerëz qe fatkeqësisht pune e kanë te shpifin dhe dëmtojnë pa nevoje procese normale, siç është edhe kjo puna e Pishinës se Gërmisë! Gjithsesi ne për hir te korrektësisë po i bëjmë edhe njëherë te gjitha kontrollat e ujit dhe analizat ne mënyrë qe t’i tregojmë qytetareve, se gjithçka është ne rregull”, ka thënë Krasniqi.

Qëndrim publik nuk ka dhënë as IKSHPK-ja.