Ka përfunduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, pas shqyrtimit dhe miratimit të pikave të parapara në rendin e ditës.
Seanca e sotme nisi pas gati dy orësh vonesë.
Deputetët e rinj të VV-së bënë betimin, ndërsa Kuvendi miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Deklaratën lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Po ashtu, Vlora Çitaku nga PDK-ja u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 90 vota për.
Në përfundim, Kuvendi miratoi me 94 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër formimin e 16 komisioneve parlamentare dhe përbërjen e tyre për Legjislaturën e 11-të.
Pas përfundimit të pikave të rendit të ditës, kryetarja e Kuvendit e mbylli seancën, duke iu drejtuar deputetëve me fjalët: “Mirupafshim në seancën tjetër.”