Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësime lidhur me ndikimin që do të ketë për Kosovën mbyllja e programit MCC (Millennium Challenge Corporation), si dhe refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020.

Në një reagim në Facebook, Hoti tha se Kosova është ndër vendet që do të pësojë më së shumti nga këto zhvillime, për shkak të dështimit të qeverisë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“MCC po mbyllet

Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz.

Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Hoti.

Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar se ka injoruar rëndësinë e Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”, ka shkruar më tutje Hoti.