MD-ja akuzon Prokurorinë Speciale për manipulim në rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka akuzuar Prokurorinë Speciale për propagandë në manipulim për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Teksa shprehen të zhgënjyer, nga ministria thonë se kjo prokurori po tenton “ta vrasë zbardhjen e drejtësisë”.

“Pas më shumë se 5 vitesh, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se drejtësia nuk duhet të jetë e mangët, por e plotë dhe e qartë.

“Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato. Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar”, vijon komunikata.

Astrit Dehari – ish-aktivist i LVV-së

Sipas njoftimit thuhet se ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale ka publikuar dy konkluzione dhe jo pesë sa janë në tërësi.

“Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim”.

Megjithatë, nga kjo ministri thuhet se përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë.

“Ministria e Drejtësisë bën sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin”.

Ndryshe, rezultatet e raportit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit, tregojnë se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij të Astrit Deharit”.

Njoftimin për rezultatet e ekspertizës e kishte dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se “më datë 01.04.2022, ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit”.

Sipas tyre, “raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe”.

“Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: – Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.

Gjithashtu, sipas raportit të ekspertizës, “analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mos prani të etanolit”.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”.

Vdekja e Astrit Deharit

Më pesë nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të paqarta.

Ai kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

Deklaratat e para nga Policia e Kosovës ishin se Dehari kishte ndërruar jetë si pasojë e medikamenteve.

Por, vdekja e tij menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga IML-ja.

Dyshime rreth vdekjes së Deharit pati edhe familja e tij.

Më shtatë nëntor të vitit 2016, ishte bërë edhe autopsia e trupit të Astritit ndërsa, Sylë Hoxha, ish-prokuror i Prizrenit atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

Ndërkaq, në shkurt të vitit 2017, familja Dehari kishte vendosur që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Kuvendi i Kosovës, pati diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës.

Më 17 maj të vitit 2017, ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte konfirmuar para kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në IML në Lozanë të Zvicrës.

Prokuroria Speciale pranon raportin e mjekësisë ligjore nga Zvicra të Astrit Deharit – Analizat nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika