Më 14 maj Presidenti i Këshillit Evropian viziton Prishtinën, takon vetëm Presidenten
Para samitit gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 Maj në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë një turne vizitash në Ballkanin Perëndimor. Presidenti i institucionit të Bashkimit Evropian, që e ka në dorë vendimin për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, do të qëndrojë […]
Para samitit gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 Maj në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë një turne vizitash në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i institucionit të Bashkimit Evropian, që e ka në dorë vendimin për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, do të qëndrojë për vizitë të shkurtë në Prishtinë më 14 Maj.
Pasditen e së mërkurës, ai do diskutojë me presidenten Vjosa Osmani, në takimin e vetëm në agjendën e qëndrimit të tij në Kosovë.
Osmani dhe Costa, sipas njoftimit, do të mbajnë një konferencë të përbashkët në orën 16:45.
Nga Prishtina, presidenti i Këshillit Evropian do të vazhdojë drejt Maqedonisë së Veriut, e më pas drejt Shqipërisë – ku do të bashkë-udhëheqë samitin e Komunitetit Politik Evropian.
“Rritja e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është top prioritet politik për BE-në dhe për mua, personalisht. Do të vizitojë rajonin për të diskutuar me liderët lidhur me sfidat e vazhdueshme dhe për të dëshmuar që BE-ja është e gatshme të ndihmojë. Ka një momentum të qartë zgjerimi, por ky momentum ka nevojë për angazhim dhe vazhdim deri në fund”. -Antonio Costa, President i Këshillit Evropian
Para vizitës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, më 12 Maj, Costa do të takohet me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.
Ndërsa, para Kosovës, më 13 dhe 14 Maj, Costa do të vizitojë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, një ditë më parë në Ditën e Evropës, Presidentja Osmani ka kërkuar heqjen e masave nga BE-ja duke thënë se duhet “trajtim me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”.















