Edhe pse është vendosur që fletëvotimet e atyre që votojnë me postë të dërgohen fizikisht e jo të shkarkohen online, kjo çështje prapë u bë temë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Rreth 3.7 milionë euro do të kushtojë i gjithë procesi, dhe përpos kostos, si problem KQZ ka thënë se është fakti se fletëvotimet nuk mund të arrijnë në adresat e votuesve para datës 21 dhjetor, 9 ditë më vonë sesa data kur hapet afati i votimit me postë.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi një zgjidhje, e cila votuesve me postë ua garanton të drejtën e votës me kohë, por nuk gjeti mirëkuptim tek anëtarët tjerë.
“Është edhe thirrje e hapur për me keqpërdor paranë publike sepse në asnjë rrethanë edhe një herë po e përsëti ky shërbim nuk do të mund të kryhet sepse janë edhe emailat edhe raportet edhe të kompanive edhe të sekratariatit që e kanë konfirmu të njëjtën”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtar i VV-së në KQZ.
“Unë po flas për planin opercionale i cili nuk është as bibël as kuran, plani ndryshon varësisht prej nevojave tona, në rregull. Ne e kemi bërë një buxhet që ia kemi dërgu Qeverisë e që sipas meje është përgjegjëse kryesore në prolongimin e operacioneve zgjedhore”, ka thënë Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ.
Kjo temë u diskutua kur erdhi në radhë rekomandimi për zhvillimin e procedurave emergjente ekstreme për aktivitetet e prokurimit, në të cilat do të përfshiheshin edhe aktivitetet e kompanive postare.
Me gjithë kundërshtimet e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo pikë me të gjitha nënpikat u miratua me 7 vota pro e 3 kundër.
Meqenëse të gjithë ishin të bindur se do të ketë vonesa në dërgimin e fletëvotimeve jashtë vendit, u shqyrtua mundësia që të bëhet më shpejtë certifikimi i partive politike në mënyrë që të tërhiqet shorti dhe t’i hapet rrugë prokurimit, e më pas dërgimit të fletëvotimeve në adresat e votuesve me postë.
Pasi u miratuan edhe pikat tjera në rend dite ndër to edhe emërimi i 215 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komuna, u mendua se mbledhja përfundoi, por nuk ndodhi ashtu.
“Ju lutem, ju lutem këndi i mediave është atje…”, ka thënë anëtari i VV-së, Sami Kurteshi.
Ngritja e zërit nga Kurteshi erdhi pasi që mediat iu afruan që të marrin nga ai një qëndrim për kërkesën për të votuar jashtë përfaqësive diplomatike dhe për ankesën eventuale në Gjykatën Supreme.
Ai insistonte se mediat nuk duhet t’i afrohen tryezës së rrumbullakët të KQZ-së meqenëse, sipas tij, ka dokumente dhe të dhënat në kompjuter të cilat nuk duhet të jenë publike për të tjerët.
Këtë sjellje të Kurteshit e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se cenimi fizik i gazetarëve është i papranueshëm.
Pas kësaj situate, Kurteshi u kthye në karrigen e tij dhe pasi i pranoi pyetjet e gazetarëve u largua nga salla.