Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka ndaluar tre persona të dyshuar për mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh. dhe M.R. dyshohet se kanë kryer veprat penale teksa hetimet fillestare kanë ngritur dyshime se të ndaluarit kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, për të krijuar në mënyrë të kundërligjshme një identitet të rremë, njofton Dukagjini.
Sipas Prokurorisë, personat e dyshuar më pas janë paraqitur si pronarë legjitimë të një prone të paluajtshme në fshatin Sllatinë të Komunës së Fushë Kosovës.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe identitetit të rremë, ata kanë realizuar shitjen e një parcele me sipërfaqe prej dy hektarësh.
Prokuroria dyshon se ky veprim i ka shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare të hetimeve, të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh., dhe M.R., duke përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftimin dhe çertifikata të gjendjes civile, kanë krijuar në mënyrë të kundërligjshme, identitet të rremë dhe janë paraqitur si pronarë legjitim të një prone të paluajtshme në fshatin Sllatinë, Komuna e Fushë Kosovës. Po ashtu, nga hetimet e deritanishme ekziston dyshimi i bazuar se po të njëjtit, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe paraqitjes së identitetit të rremë, kanë realizuar shitjen e një parcele në sipërfaqe prej dy (2) hektarësh, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë 1.550.000 euro (një milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do t’i paraqesë Gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar.