“Më duhet ta bëj të qartë”, Escobar: Kurti është partneri ynë, edhe pse ndonjëherë është i vështirë
Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, “është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner”. Escobar ka thënë se do t’i përdorin marrëdhëniet e mira që i kanë me […]
Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, “është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner”.
Escobar ka thënë se do t’i përdorin marrëdhëniet e mira që i kanë me Kosovën dhe Serbinë për t’i ndihmuar që të gjejnë një zgjidhje në të ardhmen.
“Më duhet ta bëj të qartë – Z. Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian së bashku. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”, ka thënë Escobar.
Escobar ka shtuar se nëse ShBA-të do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ishte në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian. Por, ndërkohë, deri në vitin 2030, ne presim që investimet në ekonomi të fillojnë të krijojnë mundësi reale. Unë supozoj se deri në vitin 2030 të gjitha vendet e rajonit do të jenë në rrugën e tyre të mirë për t’i përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, se do të bëjnë një rrugë të gjatë për të reduktuar korrupsionin dhe për të hapur mundësi për të rinjtë, kanë një të ardhme ekonomike afatgjate në rajon. Kështu që, unë shoh një të ardhme shumë, shumë pozitive për rajonin në tërësi”, ka shtuar Escobar.















