Edhe për tri vjet të tjera do të mbetet udhëheqës i institucionit.
Drejtorit aktual të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizit, iu vazhdua edhe një mandat.
Ky vendim u mor një ditë më parë nga bordi i SHSKUK-së në një takim të mbyllur e pa prezencë të mediave e shoqërisë civile.
Por në një komunikatë për media, Bordi arsyetoi vendimin me performansën e Azizit.
“Gjatë periudhës 2023–2025, SHSKUK ka shënuar progres të dukshëm në shumicën e treguesve kryesorë të performancës. Numri i pacientëve të shtrirë/hospitalizuar është rritur për 11.9%, numri i operimeve për 12.5%, vizitat ambulatore për 24.6%, shërbimet laboratorike për 20.5%, ekzaminimet CT për 12.7%, ndërsa ekzaminimet MRI kanë shënuar rritje prej 71%. Gjithashtu, është rritur edhe volumi i shërbimeve të kardiologjisë invazive, me 11.9% më shumë koronarografi dhe 13.3% më shumë implantime të stentave”.
Përmes telefonit, sekretari i bordit, Fahredin Majkovci, i tha televizionit se përveç në vlerësimin e performansën, vendimi mbështetej edhe në një opinion të zyrës ligjore.
“nuk vendos sekretari vendos bordi për këtë çështje qysh ka vendos me i ftu në mandatin e kaluar vendos edhe për këto nëse dëshiron me i ftu, sa i përketë vendimit ajo bazohet në vlerësimin e përformancës në vitet e kaluara dhe opinonin e zyrës ligjore”, ka thënë Majkovci.
Por, monitorues të punës së SHKUK-së e gazetarë që mbulojnë shëndetësinë, e konsiderojën veprimin si një hap prapa në transparencën, megjitëshe nuk kontestojnë ligjshmërinë.
“bordi i ri ka vendos që të mbyllet për media të mos lejoj qasjen e mediave edhe sindikatave dhe e merr vendimin më të rëndësishëm të drejtori pa konkurs publik bazuar në një vlerësim që është bërë nga bordi i kaluar e që ne nuk e kemi pa pra problematika qëndron këtu te një vendim me zero transparencë”, ka thënë gazetari Bujar Vitija.
Televizioni ka kërkuar edhe një qëndrim nga Ministria e Shëndetësisë, por si rëndom, të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje.