Në fund të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, pritet të marrë pjesë në seancën vendimtare që mbahet nesër në Parlament.

Ambasada Gjermane ka njoftuar se ambasadori Rohde, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë të jenë të pranishëm në seancën që do të mbahet nesër nga ora 11:00 në Kuvend.

Ambasadori Rohde, ka kritikuar politikanët për bllokimin institucional dhe paralajmëroi pasoja serioze ekonomike.

“Situata ka ngecur, dhe siç themi në gjermanisht: mund t’i tregosh dikujt ku është burimi i ujit, por për ta pirë, duhet ta bëjë vetë”, ka thënë Rohde, duke theksuar se puna u takon politikanëve, jo vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ambasadori u shpreh i zhgënjyer që, ndonëse qytetarët kanë votuar më 9 shkurt, “politikanët ende nuk e kanë dëgjuar votën e tyre, [popullit]”.

Ai e cilësoi këtë si një situatë “shumë të trishtueshme”.

Rohde paralajmëroi se në mungesë të institucioneve funksionale, qindra milionë euro janë në rrezik.

“Dhe populli ka folur për Kosovën më 9 shkurt, por politikanët ende nuk e kanë dëgjuar votën e tyre. Mendoj se kjo është shumë e trishtueshme. Siç e dimë të gjithë, qindra milionë euro janë në rrezik nëse Kosova nuk ka një parlament funksional dhe një qeveri funksionale shumë shpejt. Është fjala për paratë e importit, për kredi nga Banka Botërore, për kredi nga Gjermania – të gjitha janë në rrezik. Nevojiten vendime urgjente. Tenderët janë ndalur, janë pezulluar, dhe njerëzit do ta paguajnë çmimin së shpejti”, ka thënë ai para mediave.

I pyetur nëse e ka këshilluar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Rohde tha: “Kam folur me të gjithë dhe u kam dhënë të gjithëve – njësoj si kolegët e mi – të njëjtin apel: Bëjeni punën tuaj dhe formoni institucionet sa më parë”.

Seanca për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet nesër – dita e fundit për respektimin e afatit kushtetues.