I prangosur, Igor Popoviq arrin në gjykatë
Ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndihmësi i drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq. Me pranga në duar, ai arriti në Gjykatë nën përcjellje të zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Në seancën dëgjimore që pritet të nisë në orën 10:00, pritet shqyrtimi i marrëveshjes për pranim të fajësisë së arritur […]
Ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndihmësi i drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.
Me pranga në duar, ai arriti në Gjykatë nën përcjellje të zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Në seancën dëgjimore që pritet të nisë në orën 10:00, pritet shqyrtimi i marrëveshjes për pranim të fajësisë së arritur mes të akuzuarit Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Me 5 gusht, kjo e fundit bëri të ditur se kishte dorëzuar aktakuzën ndaj Popoviqit në këtë gjykatë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, duke thënë se i njëjti kishte pranuar fajësinë.
Popoviq akuzohet se me dashje dhe qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.
I njëjti e kishte etiketuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste” dhe po atë ditë, ishte ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut.















