Me rritjen e tarifave në 34 komuna, tani rryma në veri deri në 22% më e lirë
Konsumatorët e energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë paguar vetëm 2.6 milionë euro nga rreth 12.65 milionë euro sa është totali i energjisë së faturuar në këto komuna, për vitin 2024. Shprehur ndryshe, i bie që vitin e kaluar, është paguar vetëm 20.55% e totalit të faturave. Përkundër kësaj, […]
Konsumatorët e energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë paguar vetëm 2.6 milionë euro nga rreth 12.65 milionë euro sa është totali i energjisë së faturuar në këto komuna, për vitin 2024.
Shprehur ndryshe, i bie që vitin e kaluar, është paguar vetëm 20.55% e totalit të faturave.
Përkundër kësaj, nuk është raportuar për shkyçje në masë.
Vlera e konsumit, në periudhën Shkurt-Dhjetor 2024, ishte afër 171.5 gigavatë orë energji elektrike.
Bazuar në sasinë e konsumit dhe vlerën e përgjithshme të faturës, çmimi mesatar për kilovat ishte 7.37 centë – që nënkupton se një pjesë e madhe e energjisë ishte faturuar me tarifat e natës.
Ndërkohë, tarifat furnizimit me pakicë nga Elektrosever, kompani e licencuar për furnizimin e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë ndjeshëm më të ulëta sesa ato të Furnizuesit të Shërbimit Universal – KESCO.
Krahasuar me tarifat e reja për konsumatorët në 34 komunat tjera, energjia elektrike në veri të vendit, në zonën e konsumit mujor deri në 800 kilovatë orë, del të jetë rreth 22% më e lirë.
Ndërsa, për zonën e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë, dallimi i bie të jetë ndërmjet 12% dhe 15%.
Në katër komunat me shumicë serbe janë të regjistruar dhe faturohen më shumë se 24 mijë konsumatorë, ndërsa tarifat janë të parregulluara dhe caktohen nga vetë furnizuesi – në këtë rast Elektrosever.
Ndryshe nga e kaluara, pavarësisht nivelit të ulët të pagesës, buxheti i shteti nuk dëmtohet direkt, pasi nga Janari i vitit të kaluar përgjegjësia e plotë, përfshirë atë për nivelin e arkëtimit, i takon Elektroseverit.















