Më shumë policë se karabinierë mbi urën e Ibrit, a priten tensione nga serbët?

KFOR-i ka nisur largimin gradual nga ura e Ibrit, duke ia lënë gjithnjë e më shumë përgjegjësinë për siguri, Policisë së Kosovës. Qytetarët e Mitrovicës kanë qëndrime të ndryshme për këtë zhvillim, teksa njohësit e sigurisë e vlerësojnë se nuk do të ketë tensione nga serbët në veri.

Për vite me radhë prezenca ndërkombëtare mbi urën e Ibrit garantonte paqe e siguri.

Por, 27 vjet pas luftës, një tjetër ndryshim ka nisur në vendin problematik që ndanë Mitrovicën në atë të Jugut e Veriut.

Nga pjesa veriore është larguar tenda e KFOR-it ku qëndronin 24 orë karabinierët italianë.

Automjetet e Policisë së Kosovës janë shtuar në urë, megjithëkëtë një veturë e karabinierëve ende qëndron në këtë pikë.

Për disa qytetarë nga Mitrovica, kjo është vetëm një hap drejt normalizimit.

“Kjo është fitore e madhe, kjo është fitore e madhe. U dashtë ndoshta edhe më herët, po vjen ngadalë dhe po bëhet mirë”, ka thënë Mehmet Cimili, banor i Mitrovicës së Jugut.

Banorët nuk po shqetësohen për tensionet e mundshme nga pjesa veriore.

“Jo kurfare hiç, bile edhe ka me u mbajtë rend edhe më mirë. Po ma të lirë kanë mu kanë edhe ata serb që janë e jo bandat, jo kriminelat”, ka shtuar Cimili.

Por, jo të gjithë e shohin këtë ndryshim si ndonjë zhvillim të madh.

Për Habib Mehollin, kjo ndodhi më shumë për shkak të zhvillimeve politike dhe momentin në të cilin ndodhet shteti.

“Gjithmonë, kur Vuçiqi është ndonjë rrezik, Albini organizon naj far marifeti, sa me pas ai mundësi me sha Kosovën. E si të është Albini ngushtë, ai vepron kështu për me ia ndihmu Albinit, kurgjo tjetër”, ka thënë Habib Meholli, banor i zonës.

Ndërkohë një qytetare serbe, ndryshimi në terren duket se as nuk e ka vërejtur.

“Ku ka polici? Ku ndodhet Policia?”

Por, a mund të sjellë ky tranzicion tensione të reja?

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, nuk pret përshkallëzim.

“Tensioni i vetëm na vie nga siguria e jashtme, sepse ata kriminelë që na shkaktuan Banjskën e më pas në nëntorë të 2024-tës Ibër-Lepencin, nuk janë më në Republikën e KOsovës. Kjo do të thotë lirim i natyrshëm gradual që do të vie me kushtëizm dhe mbikqyrje. Vie në bazë të asaj që është besim në Policinë e Kosovës”, ka thënë Dashevci.

Misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi dje se ka nisur tranzicioni gradual i pranisë së përhershme të trupave të tij nga ura kryesore e Mitrovicës.

Sipas KFOR-it, kjo dhe gjithashtu largimi nga ruajtja e Manastirit të Deçanit, erdhi për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

 

Të fundit nga rubrika