Sunny Hill Festival nuk është vetëm një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. Përtej emrave të njohur që ngjiten çdo verë në skenë, festivali ka një mision më të gjerë: të mbështesë dhe zhvillojë talentet e reja të Kosovës përmes Sunny Hill Foundation, organizatë e themeluar në vitin 2018 nën patronazhin e artistes me famë botërore, Dua Lipa.
Fondacioni investon në arsim, kulturë dhe mundësi zhvillimi për të rinjtë. Deri më tani, ai ka financuar 30 bursa për vajza të reja nga e gjithë Kosova për arsim cilësor, ka mbështetur 17 organizata kulturore dhe joqeveritare, ndërsa aktivitetin e nisi me një donacion prej 100 mijë eurosh për kauza bamirëse në vend.
Një nga programet më të veçanta të fondacionit është bashkëpunimi shumëvjeçar me Musikmakarna, akademinë e parë suedeze të kantautorëve. Përmes kampit të kompozimit (Songwriting Camp), autorë këngësh dhe producentë të rinj nga Kosova kanë mundësinë të krijojnë muzikë së bashku me artistë ndërkombëtarë dhe të ndërtojnë rrjete profesionale. Ky bashkëpunim lidhet edhe me Tim Bergling Foundation, e krijuar në kujtim të artistit Avicii.
Përveç kësaj, fondacioni u ka mundësuar artistëve të rinj kosovarë të marrin pjesë në masterclass-e në Institute of Arts and Innovation në Los Anxhelos, duke u ofruar përvojë dhe trajnim në qendra prestigjioze të industrisë muzikore.
Sunny Hill Foundation po punon gjithashtu për krijimin e një qendre të madhe muzikore dhe artistike në Prishtinë, në partneritet me Komunën e Prishtinës, me synimin që ajo të shërbejë si hapësirë zhvillimi për artistët e rinj në Kosovë dhe rajon.
Përveç investimit në art, festivali ka përdorur platformën e tij edhe për kauza shoqërore. Fushata “A Flag for Her”, e prezantuar në skenën kryesore të festivalit, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të luftojë dhunën me bazë gjinore.
Bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, thotë se ndikimi i Sunny Hill shkon shumë përtej tri ditëve të festivalit.
“Festivali është motori, por fondacioni është arsyeja. Çdo biletë ndihmon që një i ri nga Kosova të ketë mundësinë të mësojë dhe të bashkëpunojë me profesionistët më të mirë në botë. Ne u rritëm pa këtë mundësi dhe po punojmë që brezi i ardhshëm të mos përballet me të njëjtën mungesë,” është shprehur ai.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se biletat për hyrjen e përgjithshme dhe zonën VIP janë tashmë në shitje.